Gazeta greke: Diplomatët tanë u tronditën nga veshja dhe kafazi i Ramës
Gazeta greke ‘To Vima’ publikoi një koment në lidhje me shfaqjen që dhuroi Edi Rama në rezidencën qeveritare greke. Rama ishte veshur sikur po dilte shëtitje, por gazeta greke shkruan se qëllimi i tij është të zhvendosë vëmendjen tek veshja e tij
Nuk e di nëse e keni vënë re, por ishte e sigurt që, nëse diçka do të mbetej në qendër të vëmendjes nga takimi i Kyriakos Mitsotakis me Edi Ramën, do të ishte çështja e veshjes së kryeministrit shqiptar.
Rama u shfaq me xhaketën e tij të zezë të njohur, pantallona të zeza dhe atlete të bardha — një stil që e përdor shumë shpesh, edhe në samite të BE–Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, sikur kërkon gjithmonë një arsye për të nxjerrë në pah ekscentricitetin e tij artistik (mos harroni, është piktor), kryeministri shqiptar nxitoi të kërkonte falje, duke thënë se nuk e priste… një pritje të tillë.
Çfarë pritjeje priste vallë?
Nga ana tjetër, Mitsotakis, i cili duket se e njeh mirë stilin e homologut të tij, reagoi shpejt me pak humor, duke e quajtur Ramën “krijues”!
…dhe mëkati i dyfishtë
Një nga bashkëpunëtorët e mi më kujtoi diçka interesante: disa vite më parë, kur çështja e Fredi Beleri ishte në kulm dhe kishte thelluar ndjeshëm tensionet mes Greqisë dhe Shqipërisë, Rama priti në zyrën e tij në Tiranë, Giorgos Gerapetritis.
Në atë kohë, stafi i ministrit të Jashtëm mbeti i habitur kur pa në katin e parë të godinës qeveritare një kafaz gjigant me qindra zogj ekzotikë. Kafazi ishte i mbushur me bimë dhe i dekoruar në mënyrë të veçantë.
Edhe atëherë, Rama doli nga zyra i veshur me bluzë të zezë me mëngë të shkurtra dhe tuta sportive. U duk i surprizuar kur pa Gerapetritisin me kostum dhe kravatë.
Dhe çfarë bëri? Nxitoi të justifikohej, duke thënë se sapo ishte kthyer nga Brukseli dhe nuk e priste që ministri të paraqitej kaq… zyrtarisht i veshur.