Forcat e aleatit të Trump pësojnë humbje të rënda në Kongo
Forcat e biznesmenit amerikan Erik Prince, themeluesit të kompanisë private ushtarake Blackwater dhe aleat i presidentit Donald Trump, kanë pësuar humbje të konsiderueshme gjatë një sulmi në Republikën Demokratike të Kongos, ku të paktën 20 persona mbetën të vrarë ose të plagosur.
Sipas raportimit të Reuters, prita ndodhi më 17 shtator në provincën Kivu Jugor, në lindje të vendit, duke goditur një ekip të kompanisë Vectus Global, përmes së cilës Prince ofron shërbime sigurie dhe konsulence.
Mes viktimave ishin të paktën shtatë shtetas kongolezë dhe një ish-pjesëtar i forcave speciale të Zelandës së Re.
Ndër të plagosurit ishte edhe Tim Kennedy, ish-luftëtar i UFC-së dhe veteran i forcave speciale amerikane Green Berets, i cili pësoi tri plagë me armë zjarri në këmbë.
Sipas tri burimeve, Kennedy i mbijetoi sulmit dhe po trajtohet në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed, pranë Uashingtonit.
Reuters bisedoi me të paktën dhjetë burime që kishin njohuri të drejtpërdrejta mbi sulmin ose ishin informuar për pasojat e tij.
Tre prej tyre ngritën dyshime për përfshirjen e forcave të Ruandës, të cilat mbështesin rebelët e grupit M23.
Një burim pranë qeverisë kongoleze tha se forcat ruandeze mund të kenë zbuluar vendndodhjen e ekipit duke gjurmuar një dron të përdorur për mbikëqyrje.
Dy burime të tjera pretenduan se sulmi ishte kryer drejtpërdrejt nga ushtria ruandeze. Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
“Ky zhvillim përforcon nevojën për rikthimin e sovranitetit të Republikës Demokratike të Kongos. Aktualisht është një vend jashtëzakonisht i rrezikshëm”, deklaroi një burim me njohuri të drejtpërdrejta mbi operacionin.
Përfshirja e Prince në konfliktin kongolez është zgjeruar ndjeshëm gjatë muajve të fundit.
Fillimisht, misioni i tij përqendrohej në sigurimin e të ardhurave nga rezervat e mëdha minerare të vendit dhe përmirësimin e mbledhjes së tyre.
Megjithatë, në janar dhe fillim të shkurtit, forcat e tij u vendosën në qytetin strategjik Uvira, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Washingtoni për tërheqjen e rebelëve të mbështetur nga Ruanda.