26 Korrik, 2026

Fjalimi bosh i kryeministrit për “Revolucionin e Flamingove”

 Fjalimi bosh i kryeministrit për “Revolucionin e Flamingove”

Nga Olsi Nika

Kryeministri u përpoq edhe një herë të bëjë atë që politika shqiptare ka bërë për më shumë se 35 vjet: të ndajë shqiptarët. Dikur në “tanët” dhe “armiqtë”, sot në “sorra” dhe “flamingo”. Kush mendon ndryshe, kush ngre zërin, kush mbron të përbashkëtën, etiketohet, përqeshet dhe vendoset në anën tjetër të gardhit.

Në gjithë atë rrëfim të mbështjellë me metafora, retorikë poetike dhe fjalë të bukura, një gjë u kuptua qartë: edhe dje kryeministri vazhdon të besojë se etaloni i vetëm i së vërtetës, i përparimit dhe i rilindjes është ai vetë. Se vetëm ai di, vetëm ai dëgjon, vetëm ai shpëton.

U përpoq të bindte shqiptarët se vetëm qeveria e tij ka mbrojtur natyrën, florën, faunën dhe se, në fund të fundit, edhe flamingot mund t’i shpëtojë vetëm ai.

Por ka një problem me këtë narrativë: e vërteta nuk jeton më vetëm në ekranet që kontrollon pushteti ka dalë në sheshet e Shqipërisë dhe të Evropës, atje ku mijëra shqiptarë po protestojnë. Dhe ajo e vërtetë është shumë më e thjeshtë sesa çdo figurë letrare: me ligje të qepura për interesa të ngushta, po tentohet të legalizohet betonizimi dhe urbanizimi i zonave të mbrojtura, duke i kthyer pasuritë natyrore në mall tregu.

Në fjalimin e sotëm nuk pati asnjë fakt të ri. Asnjë reflektim të ri. Asnjë surprizë. Vetëm një tjetër përpjekje për ta relativizuar protestën dhe për ta zëvendësuar debatin mbi ligjet dhe përgjegjësinë me një monolog poetik.

Kryeministri tha se e kishte dëgjuar dhe kuptuar mesazhin e protestës. Por fjala e tij dëshmoi pikërisht të kundërtën. Nuk mjafton të dëgjosh zhurmën e sheshit; duhet të kuptosh arsyen pse ai mbushet çdo mbrëmje. Dhe kur pas dhjetëra ditësh protestash përgjigjja mbetet po ajo, atëherë problemi nuk është se qytetarët nuk po flasin mjaftueshëm. Problemi është se pushteti ka kohë që nuk dëgjon.

Prandaj Flamingot do të vazhdojnë të jenë në shesh. Jo sepse kërkojnë një debat me metafora, por sepse kërkojnë një përgjigje me vendime. Jo poezi, por përgjegjësi. Jo etiketime, por tërheqjen e ligjeve që rrezikojnë të ardhmen e natyrës shqiptare.

Dhe nëse Kryeministri dëshiron vërtet të provojë se e ka kuptuar protestën, nuk ka nevojë për një tjetër fjalim plot empati të inskenuar. Mjafton një mesazh i vetëm, i thjeshtë dhe i sinqertë:

“E kuptova protestën. E kuptova se kontrata ime me qytetarët ka përfunduar. Prandaj, para se t’u kërkoj edhe një herë besën për një mandat të katërt, largohem.”

Sepse besa nuk kërkohet pafundësisht. Ajo fitohet. Dhe kur prishet, nuk rikthehet me retorikë.

Kontrata mes shqiptarëve dhe këtij pushteti ka marrë fund. Çdo përpjekje për ta rinovuar atë me metafora, etiketime apo premtime të ricikluara është e destinuar të dështojë. Kjo është arsyeja pse Revolucioni i Flamingove nuk është më thjesht një protestë për natyrën. Është protesta e një shoqërie që nuk pranon më të ndahet në “sorra” dhe “flamingo”, por kërkon të trajtohet si qytetare të lirë në vendin e vet.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *