Evropa përgatit terrenin për negociata mes Ukrainës dhe Rusisë
Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe po punojnë me Ukrainën për të krijuar një kuadër që mund të hapë rrugën për negociata me Rusinë, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës që vijon prej më shumë se katër vitesh.
Sipas Bloomberg, që citon burime të njohura me diskutimet, zyrtarë nga tre ekonomitë më të mëdha evropiane kanë shqyrtuar mundësinë e nisjes së bisedimeve që do të përfshinin si Kievin ashtu edhe Moskën.
Burimet thanë se kjo ide është diskutuar edhe me autoritetet ukrainase.
Sipas tyre, Berlini, Parisi dhe Londra besojnë se zhvillimet e fundit në fushëbetejë kanë krijuar një moment më të favorshëm për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Me përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara që kanë ngecur dhe me forcat ruse që po përballen me humbje në rritje në një front të karakterizuar nga ngërçi ushtarak, aleatët evropianë shohin një mundësi për ta sjellë presidentin rus Vladimir Putin në tryezën e negociatave.
Presioni ndaj Kremlinit është shtuar edhe nga sulmet me dronë të Ukrainës në thellësi të territorit rus, si dhe nga shenjat e para të pakënaqësisë ndaj luftës brenda disa qarqeve të udhëheqjes në Moskë.
Sipas raportimit, një nga arsyet kryesore për të vepruar tani është shmangia e një dimri tjetër gjatë të cilit Rusia mund të intensifikojë sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës energjetike ukrainase.
Megjithatë, burimet theksuan se çdo vendim për t’iu afruar Moskës mbetet në dorën e Zelensky-it dhe se vendet evropiane nuk do të ushtrojnë presion mbi Kievin për të ndjekur një strategji që ai nuk e mbështet.
Kryeministri britanik Keir Starmer pritet të zhvillojë bisedime në ditët në vijim me kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe presidentin francez Emmanuel Macron lidhur me këtë çështje.
Jo të gjithë brenda vendeve të ashtuquajtura E3 mbështesin një qasje të tillë.
Disa zyrtarë argumentojnë se koha nuk është e përshtatshme për negociata, pasi Putin nuk ka treguar gatishmëri reale për kompromis dhe vazhdon të paraqesë kërkesa maksimaliste, përfshirë dorëzimin nga Ukraina të territoreve që aktualisht nuk kontrollohen nga Rusia.
Sipas këtij grupi, aleatët duhet të përqendrohen në furnizimin e Ukrainës me më shumë armë dhe në forcimin e mëtejshëm të sanksioneve ndaj Rusisë.
Burimet shtuan se vendet evropiane duhet të koordinohen ngushtë me Shtetet e Bashkuara për çdo nismë diplomatike, pasi pengesa kryesore për negociatat ndodhet në Moskë dhe jo në Kiev.