“Është një njeri me thikë, vraponi” – Futbollisti shqiptar në Britani, rrëfen tmerrin e një sulmi me thikë
Futbollisti shqiptar, Jonathan Gjoshe, ka rrëfyer për herë të parë tmerrin që përjetoi muaj më parë gjatë sulmi me thikë në një tren në Angli, ku mbeti i plagosur rëndë pasi mori shtatë goditje. Mbrojtësi 23-vjeçar, që luante për Scunthorpe United, kujtoi momentet dramatike të 1 nëntorit të vitit të kaluar, kur po udhëtonte nga Doncaster drejt Londrës.
“Isha në tren dhe po rrija i qetë. Papritur dikush më goditi me thikë nga pas”, tregoi Gjoshe për BBC Sport. Futbollisti shqiptar kujton se sulmuesi e plagosi fillimisht në shpatull, ndërsa ai u përpoq të largohej me shpejtësi duke paralajmëruar edhe pasagjerët e tjerë.
“Po bërtisja: ‘Është një njeri me thikë, vraponi!’ Disa menduan se ishte shaka, sepse një ditë më parë kishte qenë Halloween”, tha ai.
Sulmi la të plagosur rëndë 11 persona në trenin që udhëtonte nëpër Cambridgeshire. Gjoshe arriti të tërhiqte alarmin e emergjencës dhe më pas u dërgua me urgjencë në spital, ku mjekët zbuluan se kishte marrë shtatë plagë në krah, shpatull dhe biceps. Thika kishte kaluar shumë pranë nervave të dorës.
“Kam menduar se nuk do ta shihja më familjen time”, rrëfeu lojtari, i cili iu nënshtrua një operacioni të suksesshëm.
Pas disa muajsh rehabilitim, ai u rikthye në stërvitje në mars, por ende nuk është ngjitur në tren që prej ngjarjes. “Nuk mund t’u besoj më gjërave si më parë”, pranoi futbollisti.
Megjithatë, ai është i vendosur të vazhdojë karrierën. Pas përfundimit të sezonit, Scunthorpe United vendosi të mos ia rinovojë kontratën, por Gjoshe shpreson të gjejë një skuadër të re.
“Jam plotësisht i rikuperuar dhe gati për çdo sfidë. Dua vetëm një mundësi tjetër”, deklaroi ai.
Ndërkohë, sumuesi 32-vjeçar, Anthony Williams, është akuzuar për 10 tentativa vrasjeje lidhur me sulmin dhe pritet të dalë në gjyq në tetor.