Epstein kthehet në “armë elektorale”
Skandali Jeffrey Epstein po kthehet në një temë të fortë të fushatës për zgjedhjet e ardhshme të Midterm në Shtetet e Bashkuara. Të paktën 35 kandidatë demokratë në shtete të ndryshme po përdorin në reklamat e tyre elektorale lidhjet me Epstein për të sulmuar kundërshtarët republikanë.
Demokratët i akuzojnë disa prej rivalëve të tyre se kanë tentuar të pengojnë publikimin e dokumenteve të Epstein ose se kanë pasur lidhje me persona të afërt me financierin e dënuar për krime seksuale. Këto sulme po krijojnë edhe një term të ri në fushatë: “klasa Epstein”, që përdoret për të përshkruar njerëzit që, sipas demokratëve, kanë përfituar nga lidhjet dhe ndikimi i tij.
Një nga emrat më të njohur që po e përdor këtë çështje është senatori demokrat Jon Ossoff. Ai ka sulmuar rivalin e tij republikan, kongresmenin Mike Collins, duke e akuzuar se ka votuar kundër publikimit të dokumenteve të Epstein.
Në Florida, kandidati demokrat për Dhomën e Përfaqësuesve, Gay Valimont, ka sulmuar republikanin Jimmy Patronis. Valimont e akuzon atë se e ka cilësuar hetimin për Epstein si “humbje kohe”. Patronis, megjithatë, ka dhënë një deklaratë më të ndërlikuar, duke thënë se çështja kishte krijuar një situatë bllokimi që pengonte Kongresin të merrej me çështje të tjera.
Edhe ish-senatori demokrat i Ohajos, Sherrod Brown, po e përdor çështjen në fushatën e tij për t’u rikthyer në politikë. Në disa reklama, Brown vë në qendër donacionet që rivali i tij republikan, senatori Jon Husted, ka marrë nga miliarderi Leslie Wexner.
Wexner, ish-pronar i kompanisë Victoria’s Secret, kishte pasur marrëdhënie të ngushta financiare me Epstein dhe i kishte besuar atij menaxhimin e pasurisë së tij. Në një nga reklamat e Brown thuhet se Husted ka marrë më shumë para nga persona të lidhur me Epstein se çdo politikan tjetër në Uashington dhe se më pas ka votuar kundër publikimit të dokumenteve.
Një tjetër rast që ka tërhequr vëmendje është ai i kandidates demokrate Jessica Killin, e cila garon në distriktin e pestë të Kolorados kundër republikanit Jeff Crank.
Në reklamën e saj shfaqen Sky dhe Amanda Roberts, vëllai dhe nusja e Virginia Giuffre, një nga viktimat më të njohura të Epstein dhe një prej akuzueseve kryesore të Princit Andrew. Giuffre u nda nga jeta disa vite më parë.
Në video, Sky Roberts akuzon Crank se ka fshehur krimet e Epstein për të mbrojtur Donald Trump dhe se nuk meriton të jetë në Kongres. Sipas tyre, ata i kanë kërkuar disa herë një takim Crank, por ai ka refuzuar. Ata e akuzojnë gjithashtu se, kur pati mundësinë të mbështeste publikimin e dokumenteve të Epstein, votoi kundër.
Këto reklama tregojnë se çështja Epstein po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një armë politike përpara zgjedhjeve të Midterm. Demokratët po përpiqen ta lidhin këtë çështje me kundërshtarët republikanë, ndërsa republikanët përballen me presion për të dhënë shpjegime mbi votimet, deklaratat dhe marrëdhëniet e tyre të mëparshme.