Elisa Spiropali sfidon Ramën, nis lëvizjen brenda Partisë Socialiste
Reagimet e njëpasnjëshme të ish-ministres Elisa Spiropali, pasi iu hoq “fuqia” nga duart kanë treguar se nuk kanë qenë veçse “inate” të çastit, por shumë më tepër, një krisje që ka ardhur duke u thelluar kohë pas kohe.
Pas deklaratave të forta të së premtes, ku ajo kritikoi hapur mënyrën e funksionimit të partisë dhe la të kuptohej për një ndarje, këtë të shtunë ajo ka preferuar që të shfaqet pranë socialistëve. Ish-ministrja dhe tanimë mund të themi me “plot gojë” dhe “ish-e besuara” e kryeministrit Edi Rama, ka zhvilluar takime në Njësinë 13, duke dhënë një mesazh krejt tjetër nga ai i një dite më parë.
“Kudo dhe kurdo me socialistët, për Shqipërinë siç i ka hije”, shkruan Spiropali në postimin e saj, duke e shoqëruar me thirrjet e zakonshme për integrimin europian.
Ky reagim i fundit vjen vetëm një ditë pasi ajo u shpreh publikisht kundër modelit aktual të drejtimit, duke folur për një parti që, sipas saj po humbet frymën politike dhe po zëvendësohet nga struktura të mbyllura vendimmarrjeje.
Dalja e saj në terren këtë të shtunë tregon se, pavarësisht kritikave, Spiropali nuk është shkëputur plotësisht nga baza e Partisë Socialiste. Përkundrazi, ajo duket se po mban një qëndrim të dyfishtë, kritik ndaj drejtimit, por aktive mes mbështetësve.
Kujtojmë se ditën e djeshme, përmes një postimi gjerë e gjatë, Spiropali “theu diplomacinë” me te cilën përgjatë gjithë kësaj kohe ka preferuar qe te shprehet duke deklaruar publikisht se nuk do të heshtë më dhe se familjarët e saj janë sulmuar, ndërsa ngriti shqetësime për mënyrën si funksionon sot partia.
“Një parti e gjallë, po zëvendësohet nga një strukturë fosile ku gjithçka filtrohet përmes emërimeve okulte. ‘Drejtorokracia’ është kthyer në mënyrë funksionimi. Ka zëvendësuar politikën me administrim besnikërie”, vijonte ajo postimin.