21 Maj, 2026

Elisa, një provinciale në botën e çudirave

 Elisa, një provinciale në botën e çudirave

Nga Ilir Demalia

Dje Elisa kishte bërë një status që nuk ishte thjesht i plagjaruar, por edhe simptomatik për një sëmundje më të thellë kulturore: ajo citonte Walt Whitman si të ishte fjala e saj. Në shqip kjo ka një emër të thjeshtë dhe të drejtëpërdrejtë: vjedhje. Në planin etik, është më shumë se aq – është një mungesë elementare ndershmërie intelektuale.

“Mbaje fytyrën nga drita dhe hijen lëre pas”, shkruan Whitman. Një thënie që kërkon dritë të brendshme për t’u kuptuar, jo thjesht për t’u kopjuar si dekor në një status rrjeti social.

Por këtu nis ironia.

Elisa, që përpiqet të flasë për dritën, në fakt është e dënuar të mbetet në hije – jo sepse e kërkon fati, por sepse e ndërton vetë këtë hije me një përzierje provincializmi, mizantropie dhe boshllëku kulturor. Dielli lind çdo mëngjes, por jo çdo njeri zgjohet me të. Ka nga ata që lindin dhe mbeten në muzgun e vetvetes.

Pyetja që lind është e thjeshtë: pse ndodh kjo?

Nuk është rastësi. Është produkt. Një produkt i një modeli politik dhe shoqëror që kemi ndërtuar me dorën tonë. Kemi prodhuar “Elisa”, “Zeqine”, “Klevisë” e “Mulë” si kategori, jo si individë. Njerëz pa identitet, pa rrënjë kulturore, pa kontribute reale, që hynë në politikë jo për të ndërtuar, por për të përfituar. Fillimisht si dekor, më pas si zhurmë, dhe në fund si vendimmarrës.

Kjo është tragjikomedia jonë: mediokriteti që ngjitet në majë dhe pastaj fillon të predikojë vlera që nuk i ka njohur kurrë.

Dhe kur këta njerëz kapin një fragment kulture – një citat, një emër të madh si Whitman – e përdorin si një aksesor luksi mbi një boshllëk të madh. Si një kostum i huaj mbi një trup që nuk e mban dot.

Ironia arrin kulmin kur këta fillojnë të besojnë se vendet që zënë u takojnë. Jo vetëm që nuk u takojnë, por janë marrë shpesh duke shkatërruar vetë sistemin e vlerave që duhet t’i prodhonte ato vende.

Në fund, problemi nuk është Elisa. Elisa është vetëm simptoma.

Problemi është se kemi krijuar një realitet ku hija shet veten si dritë, dhe drita duhet të justifikojë ekzistencën e saj.

Dhe në një botë të tillë, një citat i vjedhur nuk është më një gabim – është një deklaratë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *