Ekzekutimi i biznesmenit italian në Tepelenë: Si e ndryshoi akuzon për Kamber Sulçajn, prokurorja e Gjirokastrës, Blerina Musabelliu
Nga Elton Qyno
Vrasja e biznesmenit Italian, Eduardo Sarchi, në fshatin Salari të Tepelenës është klasifikuar nga prokuroria e Gjirokastrës, si një ngjarje kriminale e ndodhur në 26 shtator 2025 në kushtet e tronditjes së fortë psiqike dhe jo si vrasje e thjeshtë apo vrasje me dashje.
Vendimi për ndryshimin e akuzës, gjatë fazës së hetimit dhe dërgimin e dosjes në gjyq me të pandehur Kamber Sulçaj nga fshati Mesaplik i Vlorës, është marë nga prokurorja e çështjes, Blerina Musabelliu.
Fillimisht nga ana e policisë së Gjirokastrës, i arrestuari Kamber Sulçaj, u akuzua për 3 vepra penale si person i dyshuar për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit dhe municionit” si dhe “Prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike”.
Por përgjatë një periudhe 1 vjeçare të zhvillimit të hetimeve, prokuroria Blerina Musabelliu, ka vendosur të ndryshojë kualifikimin ligjor të veprës penale të vrasjes, duke i hequr Kamber Sulçaj “Vrasjen në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave dhe akuzuar atë në “Vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.
Në kërkesën e saj dërguar për gjykim, prokuroria argumenton se autori i krimit është konfliktuar me biznesmenin Italian dhe dy personat e tjerë që ndodheshin në makinë për shkak të dritave të gjatë.
Nga ky konflikt fizik ai është ndjerë i tronditur dhe pasi është larguar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës, duke sjellë dhe vdekjen e shtetasit Italian, Eduardo Sarchi, i cili humbi jetën për shkak të një plumbi rikoshet.
Paralelisht me akuzën e “Vrasjes të kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”, mësohet se Kamber Sulçaj është çuar si i pandehur në gjyatën e Gjirokastrës edhe për dy akuzat e tjera si “Mbajtje pa lejë të armëve të zjarrit” dhe “Prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike”.
Vetëm akuza e “Vrasjes së kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike” është një vepër penale, e cila dënohet me burgim gjer në tetë vjet.
Kjo konsiderohet një formë e “zbutur” e vrasjes me dashje, pasi ligji merr parasysh gjendjen e rënduar emocionale dhe mendore në të cilën ndodhej autori në momentin e krimit, e shkaktuar drejtpërdrejt nga viktima.
Ndërkohë pas dërgimit të dosjes në gjykatë, prokuroria e çështjes Blerina Musabelliu, mësohet se është transferuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nga prokuroria e Gjirokastrës në prokurorinë e Durrësit.
Tashmë një prokuror i ri, ka hyrë në këtë çështje penale, e cila ndodhet në fazën e gjykimit në seancën paraprake, ku gjyqtare e çështjes mësohet se është Nertila Përrallaj.
Pritet që në seancë e rradhës prokurori i rid he avokati mbrojtës të shpalosin argumentat ligjore para gjykatës Përrallaj, ku me sa duket i gjithë debate juridik do fokusohet pikërisht tek kualifikimi i ndryshëm i akuzës së vrasjes në dëm të shtetasit Italian, Eduardo Sarchi.
Lidhur me çështjen konkrete mësohet se interes kohët e fundit për ecurinë e procesit hetimor dhe atij gjyqësor ka shfaqur dhe Ambasada Italiane në Tiranë, pasi viktima ishte shtetas Italian dhe ushtronte aktivitet biznesi në Shqipëri.
Vetëm pas diskutimit përfundimtar pritet që në seancat në vijim gjykata do të shprehet nëse të pandehurin Kamber Sulçaj, do e dërgojë për gjykim me 3 akuzat e ngritura nga prokuroria e Gjirokastrës, apo do vendosë ndryshimin e akuzës në Vrasje të thjeshtë apo mund edhe të kthejë çështjen sërisht për kryerjen e hetimeve shtesë në prokurori.
Sipas të dhënave paraprake, konflikti verbal dhe viktimës mes autorit dhe viktimës e dy personave që ndodheshin në makinë, dyshohet se ka nisur pas një debati banal për dritat e makinës.
Më pas, Sulçaj është larguar duke i qëlluar nga një distancë me armë zjarri në drejtim të makinës së biznesmenit, duke i shkaktuar atij plagë të rënda në arterien e këmbës, që i mori jetën.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur autori largohet nga vendngjarja me automjetin e tij. Kjo ka ndihmuar autoritetet në gjurmimin e lëvizjes së tij pas krimit.
Automjeti i përdorur nga autori është gjetur braktisur në një zonë malore në territorin e Tepelenës. Gjatë kontrollit të mjetit, grupi hetimor ka sekuestruar një arsenal të vogël armësh dhe sende të tjera të dyshimta.
Kamber Sulçaj, tashmë i pandehur rezulton të jetë aksioner në një gurore në zonën e Bratajt, Selenicë, të quajtur “Stone Quramenga”. Ai zotëron 25 për qind të aksioneve, ndërsa ortakë të tij janë babai, Delo Sulçaj (20%) dhe vëllai, Akil (Ermal) Sulçaj (15%), së bashku me dy aksionerë të tjerë.
Po ashtu, ai është pronar i një stani me bagëti në zonën malore të Vlorës.
Nuk është hera e parë që emri i familjes Sulçaj del në raport me autoritetet e sigurisë dhe rendit. Në maj të vitit 2021, në Vlorë u arrestua vëllai tjetër i Kamber Sulçajt, Gazmendi, së bashku me një kushëri të tyre, Roel Sulçaj.
Të dy u kapën në flagrancë me 2,632 fara kanabisi, të cilat dyshohej se do të përdoreshin për kultivim dhe më pas shitje.