1 Tetor, 2026

E pazakontë: SHBA përzë delegacionin iranian. Rubio kërkoi largimin e menjëhershëm të delegacionit iranian nga New York-u

 E pazakontë: SHBA përzë delegacionin iranian. Rubio kërkoi largimin e menjëhershëm të delegacionit iranian nga New York-u

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio urdhëroi të hënën delegacionin iranian në Kombet e Bashkuara të largohej menjëherë nga SHBA-të, pasi negociatat mes Washingtonit dhe Teheranit kishin ngecur, sipas një zyrtari amerikan dhe një burimi tjetër të informuar për çështjen.

Vendimi ishte një veprim i pazakontë diplomatik dhe tregon nivelin e lartë të mosbesimit mes dy vendeve, në një kohë kur përpjekjet për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës nuk po prodhonin rezultate. Mes delegacionit iranian që u urdhërua të largohej ishte edhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, homologu i Rubios.

Sipas burimeve, të hënën në mëngjes Shtëpia e Bardhë ende shpresonte se mund të kishte përparim në negociata gjatë ditës. Megjithatë, deri pasditen e së hënës u bë e qartë se bisedimet kishin hyrë në një ngërç. Në mbrëmje, me urdhër të Rubios, misioni amerikan në OKB i njoftoi delegacionit iranian se duhej të largohej menjëherë nga New York-u.

Delegacioni, përfshirë Araghchin, u largua disa orë më vonë drejt aeroportit dhe mori një fluturim nga New York-u për në Doha në orën 01:20 të së martës. Një burim i dytë konfirmoi se SHBA-të kishin kërkuar largimin e delegacionit, por sqaruan se Araghchi gjithsesi kishte planifikuar të kthehej në Teheran atë natë.

Ndërkohë, ndërmjetësit nga Katari po vazhdojnë kontaktet me të dyja palët në përpjekje për të gjetur një kompromis. Deri tani, as SHBA-të dhe as Irani nuk kanë treguar gatishmëri për të bërë lëshimet që kërkohen për një marrëveshje.

Presidenti Donald Trump, duke folur për mundësinë e një marrëveshjeje me Iranin, tha se administrata amerikane përballet me zgjedhjen mes arritjes së një marrëveshjeje dhe përdorimit të forcës, duke paralajmëruar se vendimi do të merret së shpejti.

 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *