Dua të jem si Zegjineja!
Nga Xhensil Shkëmbi
E dini pse dua të jem si Zegjineja? Sepse jeta e saj është shumë e bukur.
Po ja, ajo nuk njihet si një studente ekselente, si profesioniste e aftë, si mendimtare, si një njeri që ka kontribuar në shoqëri nëpërmjet punës së saj. Ajo ishte “ushtare” në një degë lokale të një partie në një qytet të vogël.
Dinte të bënte për të qeshur kur fliste, nuk kishte komplekse, tallej me të tjerët, madje tallej e me veten.
E vendosën në listë për deputete, ajo humbi. E kuptuan drejtuesit e partisë që ajo nuk kishte turp nga turpi dhe detyruan kandidaten përballë saj të jepte dorëheqjen dhe vendosën Zegjinenë në parlament.
Ajo e bëri dhe bën mirë atë që bën. Flet siç di ajo, ngatërron shifrat, ngatërron fjalët, bëhet virale dhe kjo i pëlqen partisë. Heq vëmendjen nga gjërat e rëndësishme.
Zegjineja paguhet 6 mijë euro në muaj. Zegjinesë i paguhet nafta, qeraja, telefoni madje e pasaporta. Do paguhet e kur t’i mbarojë mandati, do marrë e pension të posaçëm. Zegjineja nuk ka nevojë të shkruajë fjalime se ja dërgojnë dhe i lexon. Madje “detyra” e saj është t’i lexojë keq. Dhe për këtë ajo paguhet.
Zegjineja paguhet 6000 euro në muaj. 72 mijë euro në vit. 300 mijë euro për një mandat. Ajo nuk ka nevojë as të korruptohet, as të vjedhë, as të bëjë politikë. Ajo thjesht duhet të merret me Gazin, me instagramin e saj, të lexojë keq dhe të shijojë privilegjet e parlamentit.
Ndaj, mos u çudisni që unë dua të bëhem si Zegjineja. Në një Shqipëri kur e nesërmja nuk është e sigurt as në punë, as në spital, as në shkollë e as në drejtësi, Zegjineja mbetet si imazhi jonë që duhet të arrijmë për të mbijetuar…