DOSJA Balluku: Akuza për 8 tendera, vilat, 720 mijë euro, pishinat, Abazi, Carapuli e Belinda
Tetë procedura tenderimi nën akuzë, një vilë në Dhërmi që SPAK e konsideron përfitim nga korrupsioni dhe dokumente për pishina në dy vila të “Green Coast”, ku shfaqet shënimi “Arbër Abazi + Belinda”. Materiali zyrtar i siguruar nga “MaShqip” pasqyron akuzat dhe përfitimet që prokuroria i atribuon Belinda Ballukut.
Në aktin e prokurorëve Dorina Bejko dhe Dritan Prençi renditen akuza dhe dyshime për shkeljen e barazisë në tendera, korrupsion pasiv, pastrim parash në bashkëpunim dhe fshehje ose mosdeklarim pasurie.
Balluku figuron e pandehur për tetë procedura: tunelin e Llogarasë; lotin 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës; plotësimin dhe vazhdimin e punimeve Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, loti 1 dhe QMT; segmentin Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, loti 2; urat mbi lumin Tirana në segmentin Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri–Shkozë; si dhe lotet 5, 6 dhe 7 të Unazës.
Akuza e pasqyruar për këto procedura është “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Në raste të ndryshme, bashkë me Ballukun renditen Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në prokurime.
Veç këtyre tetë procedurave, dokumenti shënon regjistrimin e saj si person i dyshuar edhe për tenderin “Ndërtim rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”, me fond limit rreth 1.25 miliardë lekë pa TVSH.
Një tjetër çështje lidhet me rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol-it, kur Balluku drejtonte institucionin. Sipas prokurorëve, ajo dhe zyrtarë të tjerë favorizuan “Eurocol”, kompaninë me administrator dhe ortak të vetëm Pandeli Carapulin, i njohur edhe si ndërtuesi i banesës së kryeministrit Edi Rama në Surrel.
Prokuroria pretendon se ndërhyrjet nisën nga projekti dhe kriteret e tenderit, “duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe e privilegje të padrejta” për kompaninë. Favorizimi, sipas aktit, vazhdoi me “parapagim në vlerën 50 përqind të kontratës”, si dhe gjatë zbatimit të punimeve e shtesës së saj.
Përfitimi që SPAK i atribuon Ballukut është vila F6, tip “Begonia”, në kompleksin “White Rocks”, në Dhërmi. Prokurorët shkruajnë se ajo është marrë “në këmbim të favorizimit të shoqërisë ‘Eurocol’”.
Kontrata e porosisë, e lidhur në emër të Igli Tares me kompaninë e Carapulit më 5 dhjetor 2018, përcaktonte çmimin 145 mijë euro. Sipas dosjes, ishin paguar 70 mijë euro, ndërsa 75 mijë euro rezultonin të papaguara.
Ekspertimi i administruar nga prokuroria e vlerëson pronën 420 mijë euro në periudhën e kontratës dhe rreth 720 mijë euro në kohën e vlerësimit. “Ky përfitim i parregullt rezulton të jetë marrë nga shtetasja Belinda Balluku në vitin 2018”, shkruajnë prokurorët. Mobilimi dhe investimet e tjera në pronë llogariten rreth 9.82 milionë lekë, përfshirë pishinën private.
Sipas SPAK-ut, për fshehjen e pasurisë janë përdorur Igli Tare dhe Joana Bushi, ish-shefe e kabinetit dhe bashkëpunëtore e ngushtë e Ballukut. Prokurorët i cilësojnë fiktive kontratën e porosisë dhe kontratën e mëvonshme të qirasë mes Tares dhe Bushit.
Një tjetër gjurmë e pasqyruar në material lidhet me punimet e pishinave në vilat 188/1 dhe 187/2, në resortin “Green Coast”, në Palasë. Pas përshkrimit të këtyre punimeve, akti paraqet të dhënat e gjetura në financat e kompanisë “SuperPool Kimya”, të Mirand Seferit.
Në rubrikën e klientit shënohet “PISHINA ARBER ABAZI (DHERMI) + BELINDA”, me sasi dy, vlerë të rënë dakord 25 mijë euro, pagesë 10 mijë euro dhe detyrim të mbetur 15 mijë euro. Dokumenti lidh emrin e Ballukut me këto punime, por në këtë pjesë nuk përcakton se cila prej dy vilave i atribuohet asaj si pronë.
Arbër Abazi dhe kompania “Alko Impex General Construction” përmenden edhe në hetimin për lotin 7 të Unazës së Jashtme, si të dyshuar për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë. Ndaj Ballukut, në të njëjtën pjesë, pasqyrohen dyshime për korrupsion pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”. Sipas informacioneve, bashkëshortja e Abazit është kushërira e parë e Ballukut, vajza e tezes së saj.
Për tenderin e vjetër të Albcontrol-it, prokurorët përcaktojnë se ndjekja penale për shkeljen e barazisë në tendera është parashkruar. Ky përfundim lidhet me atë procedurë dhe atë vepër; pretendimet për përfitimin e vilës, fshehjen e pasurisë dhe pastrimin e parave trajtohen veçmas.