14 Korrik, 2026

Dordolecët e propagandës

 Dordolecët e propagandës

Sipas kryeministrit, njerëzit nuk dalin në protestë nga revolta, pabarazia, padrejtësia, korrupsioni, varfëria apo dëshpërimi, por sepse janë “manipuluar” nga algoritmi dhe forcat e errëta e që duan destabilizimin e vendit.

Kjo strategji, sado bajate, nuk surprizon.

Manuali ka mbetur i pandryshuar ndër shekuj. Kur nuk fsheh dot dështimin, shpik një armik, “tradhtarë” të brendshëm apo konspiracione të jashtme.

Kryeministër Edi po i ndjek pikë për pikë këto skenare, duke i ndërruar madje nga dita në ditë. Sa hap e mbyll sytë, u harruan përrallat me “grekët xhelozë” që na kanë zili. Brenda natës, laboratoret sajuan një armik të ri, më ekzotik, Iranin. Kështu edhe koordinimi me axhendat globale bëhet më “i mprehtë”.

Por le ta zëmë për një moment, ashtu në marrëzi e sipër, se qenka vërtet Irani pas kësaj. Le të pranojmë skenarin e tyre qesharak. A e pyet ndonjëherë veten Kryeministri, qoftë edhe për një sekondë të vetme përpara pasqyrës: Si ka mundësi që kaq shumë njerëz, me mijëra e mijëra, janë kaq të gatshëm të mbushin sheshet?

Nëse çdo gjë shkon shkëlqyeshëm, si arriti ky “Irani” të bindte gjithë këtë rini, këta prindër e këta qytetarë të mblidheshin masivisht në rrugë? Gjithë kjo pakënaqësi ulëritëse, gjithë ky zemërim që ka plasur, për kë është dhe pse ekziston?

Çfarë rëndësie ka biografia e një protestuesi, a ka luftuar apo jo në Kosovë, për një pacient që lëngon në spitalet me njëqind probleme? Si ia zgjidh kjo jetën një qytetari të cilit i grabitet prona? Po një pensionisti që lufton me qindarkën përballë çmimeve?​ Po shqiptarit me jetë të shkatërruar nga padrejtësia? Familjeve të bëra copash nga migrimi masiv? Vilave të korrupsionit në Dhërmi?

Nuk ka asnjë lidhje. Këtë e di edhe vetë KM-ja. Pikërisht sepse e di, i duhet të shpikë dordolecë.

Ai që sot u bën protestuesve gjyqin e patriotizmit, vetë nuk ka shkelur kurrë në asnjë front lufte, e megjithatë, askush nuk e ka penguar të pozojë si shpëtimtari i madh vizionar i kombit.

Nga ajo masë e madhe qytetare mediat e toj qëmtojnë me zell protestues kundër luftës në Iran dhe kjo e bëka gjithë lëvizjen qytetare, “antiamerikane”, e marrë peng nga radikalizmi, etj.

Kjo është qesharake. Aq më tepër sepse vetë sondazhet në SHBA tregojnë se rreth 75% e qytetarëve amerikanë janë kundër asaj lufte dhe e quajnë gabim. Sipas logjikës të sëmurë, i bie që edhe vetë populli amerikan të jetë “antiamerikan” dhe i trullosur nga dashuria për terrorizmin.

Problemi i vërtetë i Shqipërisë nuk janë historitë e shpikura të propagandës.

Problemi është shteti i kapur nga krimi, korrupsioni galopant që ka infektuar çdo qelizë dhe arroganca e një pushteti që po na thotë se ka tapi mbi Republikën vetëm pse ka fituar 80 mandate deputetësh kukulla.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *