Detajet e aksionit spektakolar të SPAK: Hetimi i lidhur me Zvërnecin, kullat në Tiranë dhe resortet në jug. Të përfshirë bankierë e policë, jo vetëm biznesmenët e lidhur me politikën
Gazetari Arsen Rusta ka dhënë detaje të reja në lidhje me operacionin e SPAK ku janë të përfshirë biznesmenët Artur Shehu, Orest Sota, Edmond Jaupaj, Orges Birçe dhe Ilir Shtufi.
Mësohet se GJKKO ka lëshuar 10 urdhërarreste, janë kryer 6 sekuestro dhe po ashtu janë nxjerrë disa mandate kontrolle.
Deri më tani, Rusta bën me dije se janë ekzekutuar vetëm 3 urdhër arreste dhe se hetimi i lidhur pjesërisht me Zvërnecin, kullat në kryeqytet, resortet në jug, si dhe pastrimin e parave të drogës.
Aksioni ka nisur nga një hetim kryesisht nga Prokuroria, i nisur dhe nga një informacion i autoriteteve italiane për organizimin në Aruba.
“Prokurorët Elida Kaçkini dhe Altin Dumani kanë mundur të bindin gjykatën për 10 arreste, 6 sekuestro dhe disa mandate kontrolli.
Janë miliona euro të sekuestruara. Vinin masivisht para nga trafiku i drogës dhe më pas përmes investimeve, transaksioneve ktheheshin më pas në ndërtime dhe resorte turistike.
Dhe pse nuk ka njoftim, kam mundur të mësojë se bëhet fjalë për hetimet e nisura kryesisht në vitin 2025 për tjetërsimin e tokave dhe pronave në Zvërnec, Pishë Poro, kryeqytet.
Arrest në burg është caktuar për biznesmenin Artur Shehu, po ashtu për Orest Sotën, Edmond Jaupaj, Orges Birçe dhe Ilir Shtufin.
Janë ekzekutuar vetëm 3 urdhërarreste.
Ka numër të lartë sekuestrosh. Është hetim që arrin një shifër të përafërt të asaj që SPAK ka sekuestruar në BKT, 195 milionë dollarë.
Jo gjithçka lidhet me Zvërnecin në këtë hetim, por pjesërisht është ky, janë leje në qytet, por edhe resortet në zonat bregdetare.
Ky grup biznesmenësh ka në dispozicion mbi 60% të industrisë së ndërtimit.
Gjithçka ka nisur pas një informacioni të dalë në media, nga një hetim i autoriteteve italiane për një organizim në Aruba”, tha Rusta.
Më tej Rusta tha se bëhet fjalë për ish-funksionarë drejtësie, zyrtarë policie, bankierë dhe njerëz të administratës që kanë ndihmuar këta individë në kuadër të disa grupeve të strukturuara kriminale të ndërtojnë një mekanizëm investimi ligjor në pamje të parë, por me burim trafikun e narkotikëve.