21 Maj, 2026

Deputetët dhe drejtorët e marrin falas, Qeveria iu heq nafën falas fermerëve (ndërsa çmimi ka shkuar në qiell)

 Deputetët dhe drejtorët e marrin falas, Qeveria iu heq nafën falas fermerëve (ndërsa çmimi ka shkuar në qiell)

Qeveria nuk do të japë më naftë falas për fermerët.

Për herë të parë bujqit shqiptarë do të marrin para për sipërfaqe toke të mbjellë.

Saktësisht, bujku do të marrë 100 euro për çdo hektar të mbjellë.

Me këtë vendim fermerët do të detyrohen ta punojnë tokën me çmimin e kripur që ka shkaktuar lufta në Lindjen e Mesme.

Vendimi

Në një kohë kur çmimet e naftës në vend po rriten përsëri si pasojë e krizës ndërkombëtare dhe tensioneve në Lindjen e Mesme, qeveria ka vendosur të heqë mbështetjen me naftë falas për fermerët.

Kjo masë, e cila ishte në fuqi prej janarit të vitit 2021 dhe konsiderohej një lehtësim për kostot e prodhimit, nuk është më pjesë e Skemës Kombëtare të Mbështetjes për vitin 2026, të miratuar rishtazi nga Këshilli i Ministrave.

Vendimi për të mbyllur skemën e naftës pa taksa vjen si një lajm i rëndë për sektorin bujqësor, i cili po përballet me sfida të shumta.

Në skemën e re të 2026-ës, nafta nuk figuron më si masë mbështetjeje financiare, duke detyruar fermerët ta blejnë karburantin për punimet e tokës me çmim tregu.

Ky vendim pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostove të prodhimit për kulturat bujqësore, çka mund të reflektohet më tej në çmimet e produkteve për konsumatorin final.

Për më tepër, heqja e këtij subvencioni do të thotë një tjetër “faturë” për fermerët e mesëm, duke e vështirësuar edhe më shumë konkurrueshmërinë e produkteve vendase në treg.

Nafta 218 lekë për qytetarët, falas për deputetët: 1.3 milionë lekë në 4 vite për secilin!

Ndërsa qytetarët llogarisin lekët për naftën që ka arritur 218 lekë/litrë dhe fermerët humbasin subvencionet falas, duket se kriza e karburanteve ka “zgjidhje magjike” për elitat: deputetët dhe ministrat vazhdojnë të mbushin rezervuarët me para publike, pa u prekur nga rritja e çmimeve.

Vetëm në 2025, Kuvendi ka harxhuar 45.5 milionë lekë për të kompensuar karburantin e 140 deputetëve pra rreth 325 mijë lekë për kokë në vit, ose mbi 1.3 milionë lekë në një mandat katërvjeçar.

Me këto shuma, një deputet mund të “udhëtojë” drejt Europës pa u ndalur, ndërsa fermeri shqiptar llogarit çdo litër për të mbjellë tokën.

Në total, përfitimet për deputetët arrijnë 200 milionë lekë në vit (44% e shpenzimeve operative), duke përfshirë telefona, dieta dhe qira, plus 60 milionë për udhëtime jashtë dhe 14.5 milionë për makina të reja.

Ironia?

Bordi i Transparencës rrit çmimet për të gjithë të tjerët, por fondet publike sigurojnë “imunitet” të plotë për ata që vendosin.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *