DENONCIMI: Bixhoz dhe drogë, çfarë fshihet pas vjedhjes në postë dhe kush janë dy personat që kanë trazuar qytetin?
Çfarë fshihet pas vjedhjes në postën e Përmetit dhe ku u harxhuan këto lekë?
Policia e Përmetit njoftoi dje se ka arrestuar me urdhër të gjykatës, ekonomistin 38 vjeçar E.Q i cili kishte përlarë rreth 160 milionë lekë nga zyra e postës ku punonte.
Është e trishtueshme se si për një kohë të gjatë institucioni nuk e kuptoi mungesën e parave por më e trishtueshme është se ku u shpenzuan gjithë këto lekë.
Burime nga prokuroria e Gjirokastrës tregojnë se hetimet po shtrihen në dy pista. I arrestuari në Përmet dyshohet se ka shpenzuar shuma të mëdha duke luajtur bixhoz, baste ilegale me lloto sportive dhe blerje droge të llojit kokainë.
Në Përmet njerzit të flasin publikisht madje tregojnë edhe emrin e personit i cili nëpërmjet telefonit nga Korça ofron vendosjen e basteve ilegale dhe emrin e personit tjetër me origjinë nga fshati Sorropull i cili shet kokainën në qytet.
Për arsye etike dhe për ti paralajmëruar në kohë nuk po i përmendim emrat e tyre por ju kujtojmë që sapo të mbarojnë hetimet do detyrohemi ta publikojmë të gjithë dosjen hetimore.
Dhe këtë gjë do e bëjmë për të ndihmuar individë dhe familje të shkatërruara që bixhozi dhe droga i morën më qafë.
Vjedhja në postën e Përmetit është kambana e alarmit të një sërë ngjarjesh që do shkundin Përmetin tani e deri para zgjedhjeve të ardhshme lokale! (Bashkësia Përmet)