Denoncimi: 65-vjeçari që dergjet prej dy vitesh në spitalin e Përmetit, duke u keqtrajtuar
65-vjeçari Durim Elmazi, nga fshati Mokrice, ndodhet prej afërsisht 2 vitesh në Spitalin e Përmetit, në një gjendje shumë të vështirë shëndetësore dhe sociale.
Sipas pretendimeve të bëra, ai nuk ka mundësi të plotësojë dokumentacionin për pensionin dhe ndodhet pa mbështetjen e nevojshme.
Situata bëhet edhe më e rëndë për shkak të gjendjes së tij fizike njëra këmbë i është prerë, këmbën tjetër rrezikon ta humbasë, ndërsa ka probleme edhe me njërën dorë, e cila i është mpirë.
Por pyetja që duhet t’u bëhet institucioneve është:
Si është e mundur që një person në këtë gjendje të mos shoqërohet nga personeli shëndetësor?
Sipas dëshmive të dhëna, ky 65-vjeçar është detyruar të ngjitet vetë nga kati i parë deri në katin e katërt, duke u zvarritur, sepse nuk është shoqëruar nga infermierët.
Ndërkohë, pretendohet gjithashtu se antena e televizorit që përdorte është hequr me urdhër të drejtorit të Spitalit të Përmetit, duke i privuar edhe nga një prej të vetmeve mënyra për të kaluar kohën gjatë qëndrimit të gjatë në spital.
Nëse këto veprime janë të vërteta, kemi të bëjmë me një situatë që kërkon hetim dhe përgjegjësi institucionale.
I bëjmë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë, Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, strukturave të kontrollit dhe institucioneve sociale të verifikojnë urgjentisht rastin e Durim Elmazit.
Një njeri me një këmbë të amputuar dhe me probleme serioze shëndetësore nuk mund të lihet të zvarritet nëpër shkallë për të marrë shërbimin që i takon.
Shëndeti dhe dinjiteti i njeriut duhet të jenë mbi çdo indiferencë administrative.
Spitali i Përmetit – kërkojmë transparencë dhe verifikim të menjëhershëm të këtij rasti. (Televizioni Këlcyra)