Damian Gjiknuri sherr me Ulsi Manjën, largohet nga salla
Mbledhja e kësaj të marte në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike u shoqërua me debate të forta, jo vetëm mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe brenda radhëve të socialistëve.
Në fokus të diskutimeve ishte shqyrtimi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për mbrojtjen e tokës bujqësore”, ku një pjesë e debatit u përqendrua te ndikimi që mund të kenë impiantet eolike në sipërfaqet bujqësore.
I pari që ngriti shqetësimet ishte deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili kundërshtoi instalimin e këtyre impianteve duke argumentuar se ndërtimi i tyre kërkon ndërhyrje të konsiderueshme në tokë. Qëndrimit të tij iu bashkua edhe deputeti socialist Damian Gjiknuri, i cili kërkoi më shumë sqarime nga përfaqësuesit e administratës për mënyrën e vendosjes së strukturave.
Gjiknuri kundërshtoi argumentin se kullat e impianteve eolike mund të vendosen pa struktura betoni, duke theksuar se bëhet fjalë për konstruksione të mëdha që kërkojnë bazamente të posaçme. Ai së bashku me deputetët e opozitës, votoi kundër nenit 1 të projektligjit.
Mirëpo debati u tensionua edhe më tej në momentin kur deputeti demokrat, Gent Strazimiri kërkoi që të vijonte me pyetjet e tij, gjë e cila u hodh poshtë nga kryetari Manja. Në këtë moment pati replika edhe mes Manjës dhe Gjiknurit, ku as këtij të fundit nuk iu dha fjala për të sqaruar opinionin e tij.
Strazimiri: Kam pyetje.
Manja: U ezauruan.
Strazimiri: Po unë s’kam mbaruar gjimnazin bujqësor. Kam pyetje për ty.
Manja: Po.
Strazimiri: Fakti që në projektligj kanë sjellë edhe shënimin “eolik”, ka një problem këtu. Është një instrument që jepet në dorë edhe të njerëzve të papërgjegjshëm në të ardhmen. Urgjenca që keni për këtë ligj do të thotë se po bëni dëm. Nuk po na lini të sqarohemi.
Manja: Në rregull, e gjetët lepurin në ferrë ju të tre (Bylykbashi, Strazimiri dhe Gjiknuri).
Gjiknuri: Një sekondë, sepse nuk u sqaruam, më jep fjalën.
Gjiknuri: Do më jepni fjalën apo të largohem fare.
Ulsi: Mund të ikësh, rri te abstenimi ti. Merru me Oerdin.
Gjiknuri: Në rregull, po largohem.