Çmimet plako, çmimet
Nga Elton Dusha
Në një shkrim para disa muajsh në këtë revistë u mundova të shpjegoj një nga arsyet për të cilat protestat në Tiranë filluan më në fund, mbas kaq vitesh keq-qeverisje dhe korrupsion. Një nga arsyet kryesore është paqartësia e ligjit të pronave dhe mungesa e pronësisë mbas 36 vjetësh demokraci. Ky është një dështim kolosal i shtetit të së drejtës, dhe, ndërsa ligji për investimin strategjik uzurpon të drejtën e banorëve që kanë jetuar në tokën e tyre me dekada, konflikti midis shtetit dhe qytetarit rritet. Megjithatë, kjo arsye, në izolim, nuk e shpjegon dot lodhjen me politikën dhe inatin masiv që shihet në protesta.
Ndonëse çështja e pronave është shumë e rëndësishme për një pjesë dërrmuese të qytetarëve, zakonisht protesta të këtij lloji fillojnë kur kushtet ekonomike përkeqësohen mjaftueshëm për një pjesë të madhe të shoqërisë. Ndonëse shprehja e pakënaqësisë është politike, arsyet thelbësore janë ekonomike. Në rastin e Shqipërisë, niveli i çmimeve e ka bërë vendin të papërballueshëm nga qytetari mesatar. Kjo është diçka që ndihet në jetën e përditshme, po një krahasim statistikor me vendet e rajonit dhe më tej do të ishte i dobishëm për të parë sa e shtrenjtë është Shqipëria me të vërtetë.
Le ta fillojmë me një krahasim të thjeshtë nga Eurostati. Dy kolona: e para është niveli i përgjithshëm i çmimeve si përqindje e mesatares së BE-27; e dyta është PBB-ja nominale për frymë si përqindje e mesatares së BE-27. Shqipëria ka nivel të përgjithshëm çmimesh 72.6% të mesatares së BE-së dhe PBB nominale për frymë 27.7%. Të ardhurat reale të Shqipërisë janë tejet të ulta për nivelin e çmimeve.
| Niveli i çmimeve dhe PBB nominale për frymë | ||
| 2025; BE-27 = 100 | ||
| Vendi | Niveli i çmimeve | PBB/frymë nominale (BE-27 = 100) |
|---|---|---|
| Bosnja dhe Hercegovina | 59.2 | 20.4 |
| Shqipëria | 72.6 | 27.7 |
| Maqedonia e Veriut | 54.8 | 22.3 |
| Mali i Zi | 66.1 | 31.5 |
| Serbia | 68.0 | 32.5 |
| Bullgaria | 62.5 | 43.4 |
| Hungaria | 77.5 | 55.2 |
| Kroacia | 78.4 | 57.5 |
| Rumania | 65.1 | 47.9 |
| Polonia | 73.3 | 59.3 |
| PBB/frymë është nominale, në euro, si përqindje e BE-27. PLI-të janë tregues krahasues dhe nuk synojnë renditje strikte të vendeve. | ||
Le të fokusohemi pak më shumë tek çmimet e ushqimeve, se ato janë çmimet që dhembin më shumë sepse janë të përditshme. Tabela që vijon është e njëjta gjë si më sipër: sa pë rqind të çmimeve ushqimore europiane janë çmimet tona, sa për qind të të ardhurave europiane kemi ne dhe raporti. Në mallra ushqimore Shqipëria është dhe më e papërballueshme, me 103.8% të çmimeve europiane, dhe me 27.7% të të ardhurave.
| Kush e ka ushqimin më të shtrenjtë kundrejt të ardhurave | |||
| Ushqim dhe pije joalkoolike, 2025; BE-27 = 100 | |||
| Vendi | Niveli i çmimeve të ushqimit | PBB/frymë nominale (BE-27 = 100) | Raporti |
|---|---|---|---|
| Bosnja dhe Hercegovina | 85.8 | 20.4 | 4.21 |
| Shqipëria | 103.8 | 27.7 | 3.75 |
| Maqedonia e Veriut | 74.8 | 22.3 | 3.35 |
| Serbia | 97.1 | 32.5 | 2.99 |
| Mali i Zi | 86.5 | 31.5 | 2.75 |
| Bullgaria | 92.6 | 43.4 | 2.14 |
| Kroacia | 105.5 | 57.5 | 1.83 |
| Hungaria | 95.2 | 55.2 | 1.72 |
| Rumania | 79.8 | 47.9 | 1.67 |
| Polonia | 89.5 | 59.3 | 1.51 |
| PBB/frymë është nominale, në euro, si përqindje e BE-27. Raporti = niveli i çmimeve të ushqimit / PBB nominale për frymë; ai është krahasim tregues, jo masë e të ardhurave të familjeve. Raportet llogariten me shifrat e pa-rrumbullakuara.. Raporti = niveli i çmimeve të ushqimit / PBB nominale për frymë; ai është krahasim tregues, jo masë e të ardhurave të familjeve. Raportet llogariten me shifrat e pa-rrumbullakuara. PBB/frymë është nominale, në euro, si përqindje e BE-27. Raporti = niveli i çmimeve të ushqimit / PBB nominale për frymë; ai është krahasim tregues, jo masë e të ardhurave të familjeve. Raportet llogariten me shifrat e pa-rrumbullakuara. | |||
Një nga arsyet (jo kryesorja) që ushqimet janë shumë të shtrenjta në Shqipëri është se taksohen në 20%. Përveç Bullgarisë, vendet e tjera e taksojnë shumë më pak.
| Çmimet e ushqimit | ||
| Indeksi i ushqimit dhe TVSH-ja për ushqime, 2025 | ||
| Vendi | Indeksi i ushqimit (BE-27 = 100) | TVSH për ushqime |
|---|---|---|
| Bosnja dhe Hercegovina | 85.8 | 17% |
| Shqipëria | 103.8 | 20% |
| Maqedonia e Veriut | 74.8 | 5% |
| Serbia | 97.1 | 10% |
| Mali i Zi | 86.5 | 7% |
| Bullgaria | 92.6 | 20% |
| Kroacia | 105.5 | 5% / 13% |
| Hungaria | 95.2 | 5% / 18% / 27% |
| Rumania | 79.8 | 9% → 11% (nga 1 gusht 2025) |
| Polonia | 89.5 | 5% (shumica) |
| TVSH-ja për ushqime ndryshon sipas produktit; prandaj kjo kolonë jep normën kryesore ose intervalin, jo një mesatare të ponderuar të shportës. | ||
Kjo është politikë tejet regresive sepse Shqipëria harxhon më shumë si përqindje e konsumit total në ushqim se çdo vend tjetër në listë. Sidomos për më të varfrit, që harxhojnë pjesën më të madhe në ushqim.
| Sa e madhe është pesha e ushqimit në shpenzimet familjare | |
| Ushqim dhe pije joalkoolike si pjesë e konsumit final të familjeve, 2025 | |
| Vendi | Pjesa e shpenzimeve për ushqim |
|---|---|
| Shqipëria | 31.8% |
| Bosnja dhe Hercegovina | 31.3% |
| Maqedonia e Veriut | 31.1% |
| Mali i Zi | 28.1% |
| Serbia | 23.4% |
| Rumania | 22.7% |
| Kroacia | 22.3% |
| Bullgaria | 20.9% |
| Polonia | 18.2% |
| Hungaria | 17.4% |
| Llogaritja: shpenzimet nominale për ushqim dhe pije joalkoolike / konsumi final nominal i familjeve. | |
Një nga problemet kryesore të këtyre krahasimeve është se euro ka rënë ndjeshëm kundrejt lekut. Kur çmimet shqiptare shndërrohen në euro, një lek më i fortë i bën ato të duken më të larta në krahasim me vendet e tjera, edhe nëse çmimet në lekë nuk janë rritur në të njëjtën masë. Kjo do të thotë se një pjesë e nivelit të lartë të çmimeve të shprehur në euro mund të vijë nga kursi i këmbimit, jo vetëm nga çmimet vendase.
Por tabela që vijon shmang pikërisht këtë problem. Ajo e përshtat pagën me fuqinë blerëse të ushqimit: paga dhe çmimet e ushqimit maten fillimisht në monedhën vendase, prandaj kursi i këmbimit anulohet. Me fjalë të tjera, ajo nuk thotë sa euro vlen paga shqiptare, por sa ushqim mund të blejë ajo pagë në krahasim me pagat në vendet e tjera. Edhe me këtë masë, Shqipëria del e fundit në listë. Paga mesatare Shqiptare blen më pak se çdo vend tjetër.
| Sa ushqim mund të blejë paga | |||
| Paga mesatare bruto mujore e përshtatur me PPP-në e ushqimit, 2025 | |||
| Vendi | Paga bruto mujore (€) | Indeksi i ushqimit (BE-27 = 100) | Pagë e përshtatur për ushqim (PPS) |
|---|---|---|---|
| Polonia | 2,100 | 89.5 | 2,346 |
| Rumania | 1,806 | 79.8 | 2,264 |
| Kroacia | 2,016 | 105.5 | 1,911 |
| Hungaria | 1,772 | 95.2 | 1,862 |
| Maqedonia e Veriut | 1,102 | 74.8 | 1,473 |
| Bosnja dhe Hercegovina | 1,246 | 85.8 | 1,452 |
| Bullgaria | 1,331 | 92.6 | 1,437 |
| Mali i Zi | 1,206 | 86.5 | 1,394 |
| Serbia | 1,289 | 97.1 | 1,328 |
| Shqipëria | 857 | 103.8 | 826 |
| Formula: paga bruto mujore në monedhë vendase / PPP-ja e ushqimit. Në tabelë është e barasvlershme me paga në € × 100 / indeksi i ushqimit; kështu kursi i këmbimit anulohet. Vlerat e përshtatura llogariten me shifrat e pa-rrumbullakuara. | |||
Paga reale (paga e pjesëtuar me nivelin e përgjithshëm të çmimeve) Shqiptare është më e ulëta në listë.

Po banesat? Këtu Shqipëria vazhdon të jetë më e papërballueshmja, duke zënë vendin e parë në listë. Te grafiku i banesave, efekti i kursit shkon në drejtim të kundërt. Çmimet e banesave jepen në euro; një lek më i fortë e rrit vlerën në euro të pagës shqiptare dhe, rrjedhimisht, e ul numrin e pagave vjetore të nevojshme për blerje. Pra, kursi aktual e bën banesën të duket më e përballueshme, jo më pak e përballueshme. Rezultati i dobët i Shqipërisë në këtë grafik nuk shpjegohet nga dobësimi i euros; përkundrazi, kursi e zbut atë.

Si përmbledhje; Shqipëria është tërësisht e papërballueshme për një qytetar mesatar. Shumica e njerëzve që ngrihen në protestë e bëjnë këtë sepse u ka ardhur thika në kockë, nuk kanë ç’të bëjnë më. Fëmijët u ikin se nuk e përballojnë dot Shqipërinë me rrogat e tregut, dhe ata vetë jetojnë çalë çalë me pensionet që mezi u dalin. Këto 5 vitet e fundit e kanë bërë Shqipërinë vend ku mund të jetojë vetëm dikush që ka të ardhura europiane, për të tjerët Shqipëria ka rroga shqiptare me çmime gjermane.