“Cili fëmijë i ka bërë këto piktura?” – Habia e kryeministrit të huaj, në zyrën e Ramës
Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëdhënien mes artit dhe politikës, duke treguar edhe një nga mënyrat që përdor për t’u shkëputur për pak nga presioni i përditshëm i politikës.
Në një intervistë të dhënë në Berlin për gazetën spanjolle El Pais, Rama ka rrëfyer se pikturon edhe gjatë mbledhjeve dhe konferencave zyrtare. Sipas tij, kjo nuk lidhet me ndonjë interpretim të veçantë artistik apo psikologjik, por me faktin se piktura e bën të ndihet mirë.
“E bëj sepse më bën të ndihem mirë. Është e ngjashme me atë që më ndodh kur duhet të marr infuzione për të lehtësuar migrenën. Është një mënyrë për t’u detoksifikuar, për të holluar helmin e politikës”.
Rama ka folur gjithashtu për rolin që, sipas tij, duhet të ketë arti në raport me politikën. Ai kundërshton idenë se arti duhet të marrë përsipër ndryshimin e botës apo të japë zgjidhje për konfliktet politike.
“Qëllimi i artit nuk është të ndryshojë botën. Ai duhet të ndryshojë këndvështrimin e njerëzve dhe të krijojë një hapësirë ku ata të mund të përpunojnë idetë e tyre dhe të përparojnë”.
Sipas Ramës, arti nuk duhet të ketë misionin të ndalojë luftërat apo të japë dënime politike, pasi këto janë përgjegjësi që i takojnë politikës.
“I vetmi fëmijë këtu jam unë”
Gjatë intervistës, kryeministri ka treguar edhe një episod humoristik me një lider të huaj, i cili mbeti i habitur nga mënyra se si ishte dekoruar zyra e tij në Kryeministri.
Muret e zyrës janë të mbushura me krijime të Ramës, të realizuara gjatë viteve, dhe një prej liderëve që e vizitoi nuk e kuptoi fillimisht se çfarë ishin.
Sipas Ramës, ai e pyeti: “Po këto çfarë janë?”.
Pasi Rama i shpjegoi se ishin vizatimet e tij, lideri e pyeti nëse ai “pikturonte mbi mur”.
Në vijim, ai i tha Ramës se ishte “një njeri i çuditshëm” dhe se kishte menduar se ajo hapësirë ishte një vend ku kujdeseshin për fëmijët e punonjësve kur nuk mund t’i çonin në çerdhe.
Përgjigjja e Ramës ishte tipike për stilin e tij: “Jo, i vetmi fëmijë këtu jam unë”.
Rama vijon të mbajë paralelisht aktivitetin politik dhe atë artistik, ndërsa veprat e tij janë ekspozuar edhe në galeri ndërkombëtare.
Lider global? Rama: Ndihem i bekuar që nuk jam mes atyre që marrin vendimet e mëdha për planetin
Kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë të veçantë gjatë një interviste në Berlin, ku ka folur për politikën, artin dhe situatën ndërkombëtare.
Duke u pyetur nga gazetari Igor Lopez i El Pais për zhvillimet aktuale në botë dhe rolin e politikës, Rama tha se ndihet “i bekuar” që Shqipëria është një vend i vogël dhe se nuk është pjesë e grupit të liderëve që marrin vendimet më të mëdha në skenën globale.
“Ndihem i bekuar që nuk jam mes atyre që ndodhen në vendin nga ku merren sot vendimet e mëdha. Shqipëria është aq e vogël sa askush nuk pret që unë të marr ndonjë vendim të madh për planetin”, tha Rama.
Rama shtoi se nuk e di se çfarë do të bënte në një pozicion ku do të duhej të merrte vendime me ndikim global.
“Kjo është fat, sepse nuk kam asnjë ide se çfarë do të bëja apo çfarë mund të bëja. Gjërat po shkojnë mjaft keq në këtë anë të botës”, u shpreh ai.
Rama për politikën: Duhet të bësh që gjërat të ndodhin
Në intervistë, Rama e përshkroi politikën si një nga format më të larta të angazhimit njerëzor, duke e lidhur drejtpërdrejt me ndryshimin.
“Politika ka shumë kuptim dhe është për të ardhur keq që e ka humbur. Është forma më e lartë e angazhimit dhe e procesit intelektual: duhet të bësh që gjërat të ndodhin, jo me bojë, as me piano, por me njerëz”.
Ai pranoi gjithashtu se politika mund të jetë një përvojë që të konsumon psikologjikisht, duke rikujtuar edhe një prej parimeve të tij: “Arti është një përpjekje për të mos u çmendur, sepse politika mund të jetë një çmenduri”.