14 Korrik, 2026

Brukseli pret ministerialin e NATO-s, Shqipëria pjesë e diskutimeve kyçe

 Brukseli pret ministerialin e NATO-s, Shqipëria pjesë e diskutimeve kyçe

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, do të marrë pjesë të enjten në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, i cili do të zhvillohet në selinë e Aleancës në Bruksel.

Takimi vjen në një moment kyç për NATO-n, teksa aleatët po intensifikojnë përpjekjet për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, rritjen e prodhimit ushtarak dhe përgatitjet për Samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se ministrat do të diskutojnë hapat e mëtejshëm për ndërtimin e një “Evrope më të fortë në një NATO më të fortë”, duke theksuar nevojën për më shumë forca ushtarake, më shumë investime dhe një bazë industriale mbrojtëse më të fuqishme.

Ai nënvizoi se vendet evropiane aleate dhe Kanadaja kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes me mbi 90 miliardë dollarë gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje prej gati 20% brenda një viti.

Në agjendën e ministerialit përfshihet edhe mbledhja e Grupit të Planifikimit Bërthamor, diskutimet mbi përgatitjet për samitin e ardhshëm të Aleancës, si dhe takimi i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i bashkëkryesuar nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Një nga temat kryesore mbetet zbatimi i angazhimit të ri të NATO-s për investimin e 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje dhe siguri deri në vitin 2035, objektiv i miratuar nga aleatët në Samitin e Hagës.

Sipas NATO-s, të paktën 3.5% e PBB-së do të dedikohet për kapacitetet bazë ushtarake, ndërsa deri në 1.5% për infrastrukturën kritike, sigurinë kibernetike dhe forcimin e industrisë së mbrojtjes.

Takimi i Brukselit zhvillohet gjithashtu në një periudhë kur NATO po shton përpjekjet për rritjen e prodhimit ushtarak dhe modernizimin e industrisë së mbrojtjes, me qëllim përmbushjen e objektivave të reja të Aleancës dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën.

Për Shqipërinë, ministeriali zhvillohet në një moment domethënës, pasi vendi ka arritur për herë të parë objektivin e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes.

Sipas të dhënave më të fundit të Aleancës, vendi investoi në vitin 2025 rreth 2.01 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje, duke tejkaluar pragun minimal prej 2 për qind.

Raporti i NATO-s tregon se Shqipëria shpenzoi rreth 570 milionë dollarë për mbrojtjen gjatë vitit 2025, ndërsa mbi 42 për qind e buxhetit u dedikua për pajisje ushtarake dhe kërkim-zhvillim, një nga nivelet më të larta në rajon.

Këto zhvillime marrin rëndësi të veçantë pasi aleatët kanë hyrë tashmë në fazën e zbatimit të angazhimeve të reja të miratuara në Samitin e Hagës, që synojnë forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe rritjen e investimeve në mbrojtje deri në vitin 2035.

Në këtë kontekst, ministrat e Mbrojtjes do të diskutojnë në Bruksel jo vetëm objektivat e reja financiare, por edhe forcimin e kapaciteteve ushtarake, prodhimin e industrisë së mbrojtjes dhe gatishmërinë operacionale të Aleancës në vitet e ardhshme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *