Britania prezanton avionët pa pilot të së ardhmes
Britania e Madhe ka prezantuar “Storm Fighter”, programin e saj të ri për zhvillimin e avionëve luftarakë autonomë pa pilot, të projektuar për të operuar përkrah avionëve luftarakë me pilot në misione të ardhshme.
Programi u prezantua nga Ministria britanike e Mbrojtjes gjatë Konferencës Globale të Shefave të Forcave Ajrore dhe Hapësinore në Londër dhe synon të rikthejë ambiciet britanike në zhvillimin e të ashtuquajturave “Loyal Wingman”, avionë pa pilot që mbështesin dhe shoqërojnë avionët luftarakë gjatë operacioneve.
Sipas autoriteteve britanike, “Storm Fighter” është pjesë e një plani më të gjerë modernizimi të forcave të armatosura, me investime prej rreth 6.6 miliardë dollarësh gjatë katër viteve të ardhshme për sistemet autonome dhe pa pilot.
Ministri britanik për Gatishmërinë dhe Industrinë e Mbrojtjes, Luke Pollard, bëri të ditur se programi do të financohet me 406 milionë dollarë, të parashikuara për zhvillimin e avionëve luftarakë bashkëpunues.
“Po maksimizojmë fuqinë tonë ajrore në prag të luftës së së ardhmes, e cila do të karakterizohet nga tufa dronësh, avionë luftarakë të gjeneratës së gjashtë dhe kapacitete gjithnjë në zhvillim të luftës elektronike”, deklaroi Pollard.
Ai shtoi se “Storm Fighter” do të zhvillojë “dronë mbrojtës dhe sulmues”, të cilët do të fluturojnë në misione së bashku me avionët Typhoon, F-35 dhe Tempest, duke e bërë, sipas tij, Forcën Ajrore Mbretërore “forcën e parë ajrore të gjeneratës së gjashtë në Evropë”.
Programi i ri i bashkohet një serie projektesh britanike që mbajnë emrin “Storm”. Mes tyre është “Storm Shroud”, një dron i specializuar për luftën elektronike që pritet të hyjë në shërbim gjatë këtij viti, si edhe “Storm Chrome” dhe “Storm Fire”, ky i fundit një dron sulmues me rreze veprimi deri në 1 mijë milje (rreth 1 mijë e 600 kilometra).