Brenda bandave të drogës në Francë: Si po rekrutohen fëmijët për të kryer vrasje
Bandat kriminale të drogës në qytetin francez të Marsejës po rekrutojnë gjithnjë e më shumë të mitur, duke i joshur me premtime për para të shpejta, makina luksoze dhe një jetë të shtrenjtë. Por, pas këtyre premtimeve fshihet një realitet brutal, ku të rinjtë përfundojnë të përfshirë në trafik droge, rrëmbime, tortura dhe vrasje me pagesë.
Në qendër të këtij fenomeni qëndron DZ Mafia, një prej organizatave kriminale më të fuqishme dhe më të frikshme në Francë, e cila ka zgjeruar ndikimin e saj përmes rrjeteve sociale dhe rekrutimit të të rinjve nga qytete të ndryshme të vendit.
Një nga rastet më tronditëse të zbuluara nga drejtësia franceze lidhet me dy adoleshentë 15-vjeçarë, të cilët fillimisht iu afruan një bande kriminale për të siguruar të ardhura nga aktivitetet e paligjshme.
Njëri prej tyre merrej me administrimin e parave, ndërsa tjetri shpërndante drogë në rrugët e një lagjeje të Marsejës.
Por shumë shpejt, pasi u akuzuan për mungesa në të ardhurat e bandës, të dy u përballën me dhunë të vazhdueshme, kërcënime dhe tortura. Ata u detyruan edhe të zhvisheshin para kamerave për t’u shantazhuar. Njëri prej tyre u përdhunua.
Në përpjekje për t’u arratisur, adoleshentët tentuan të hidheshin nga dritarja e katit të dytë. Njëri arriti të shpëtonte, ndërsa tjetri u kap, u rrah dhe u godit me thikë.
Rasti përfundoi në gjykatë, ku gjashtë persona u dënuan me burgime të rënda.
DZ Mafia, një organizatë që përdor rrjetet sociale për rekrutim
Sipas BBC-së, DZ Mafia u fuqizua pas një lufte të përgjakshme për kontrollin e territorit në Marsejë.
Organizata nisi të përdorte rrjetet sociale për të ndërtuar imazhin e saj si një markë kriminale, duke publikuar video deklarata me persona të maskuar dhe mesazhe publike.
Një nga themeluesit e saj, Mehdi Laribi, shtetas franko-algjerian, u ndalua në Algjeri në fillim të këtij viti, në bazë të një urdhër-arresti francez.
Sipas drejtuesit të njësisë franceze kundër trafikut të drogës, Dimitri Zoulas, zgjerimi i tregut të kokainës, kanabisit dhe drogave sintetike ka ndihmuar gjithashtu në rritjen e fuqisë së organizatave kriminale.
Zoulas deklaron se tregtia e paligjshme e drogës në Francë gjeneron rreth 7 miliardë euro në vit dhe përfshin afërsisht 200 mijë persona.
Sipas shifrave zyrtare të cituara nga BBC, gjatë vitit 2025 më shumë se 10 mijë të mitur u përfshinë në një formë të aktivitetit të trafikut të drogës.
Nga shpërndarës droge në vrasës me pagesë
Hetimi i BBC-së zbulon se rekrutimi nuk kufizohet vetëm te shpërndarja e lëndëve narkotike. Të rinjtë po përfshihen edhe në rrëmbime, tortura dhe ekzekutime.
Një 20-vjeçar, i identifikuar me emrin e ndryshuar Camil, i cili pretendon se është larguar nga DZ Mafia, tregon se si funksionon mekanizmi i joshjes së të rinjve.
Sipas tij, banda u ofron rekrutëve gjithçka që dëshirojnë: makina të shtrenjta, apartamente luksoze, drogë dhe para.
Por këto përfitime krijojnë një lidhje varësie dhe besnikërie ndaj organizatës.
Ai paralajmëron se sapo drejtuesit e bandës zbulojnë dobësitë e një personi, i shfrytëzojnë ato për ta kontrolluar plotësisht.
Një tjetër anëtar i DZ Mafia-s, i identifikuar me emrin Adam, i cili ndodhet në burg në pritje të gjykimit dhe është i përfshirë në disa hetime për vrasje, rrëfen se si u ngjit në hierarkinë kriminale.
Ai thotë se vendosmëria dhe gjakftohtësia e tij gjatë akteve të dhunshme i siguruan një pozicion më të lartë në organizatë.
Tragjedia e një nëne: Djali u vra pasi shkoi në Marsejë për punë
Pasojat e këtij fenomeni janë të rënda edhe për familjet.
BBC sjell historinë e Karine Brouillard, nënës së Hugo-s, një i ri që u largua nga shtëpia në moshën 15-vjeçare dhe u gjet nga policia në Marsejë, gati 1.000 kilometra larg familjes, me para dhe kanabis.
Disa vite më vonë, në vitin 2023, Hugo u kthye sërish në jug të Francës, duke u thënë prindërve se kishte gjetur një punë sezonale në një restorant pranë Marsejës.
Familja merrte rregullisht lajme prej tij dhe besonte se gjithçka po shkonte mirë.
Por tre javë më vonë, nëna mori telefonatën që i ndryshoi jetën.
Një mjek i tha se djali i saj ishte dërguar në spital me një plagë arme në kokë.
Policia dyshon se Hugo kishte lidhje me një prej bandave kriminale që veprojnë në zonat veriore të Marsejës.
Një qytet nën presionin e bandave
Gjatë vizitës në lagjet veriore të Marsejës, ekipi i BBC-së u përball me kontrollin territorial të grupeve kriminale.
Në disa zona, hyrja dhe lëvizja kontrollohen nga persona të armatosur ose vëzhgues të bandave, të cilët monitorojnë automjetet dhe personat që hyjnë në territor.
Banorët shprehin shqetësimin se fëmijët e tyre po joshen nga paratë e lehta dhe po përfundojnë në një botë ku dhuna dhe kriminaliteti bëhen pjesë e përditshmërisë.
Në disa lagje, çmimet e kokainës, hashashit dhe marijuanës janë shkruar drejtpërdrejt në muret e ndërtesave, ndërsa zonat e shpërndarjes së drogës janë kthyer në territore të kontrolluara nga organizatat kriminale.