Blendi Fevziu komenton sherrin Duma-Lela
Një debat i ashpër ndodhi mbrëmjen e djeshme në studion e emisionit Top Story në Top Channel, ku drejtori i komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, u përplas me moderatoren Grida Duma, duke çuar deri në largimin e tij nga studio.
Përplasja nisi kur Duma e ka pyetur Lelën se përse deputetët e Partisë Demokratike nuk kanë shkuar në krah të banorëve të pallatit që u dogj në Tiranë.
Palët shkëmbyen replika të forta që më pas degraduan në tone personale dhe debati devijoi në hulli të tjera kur analisti i tha moderatores të mos i drejtonte gishtin, ose në të kundërt “duhet t’i gjente vend ku ta fuste“.
Kjo solli reagimin e menjëhershëm të moderators Duma, e cila i kërkoi të largohej nga studio për mungesë etike.
Për këtë ngjarje VoxNews kërkoi një reagim nga moderatori i njohur, Blendi Fevziu, i cili ka shprehur një qëndrim kritik ndaj sjelljes së përfaqësuesve politikë në media.
Sipas Fevziut, drejtori i komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela duhej ta kishte shmangur konfliktin.
Fevziu shton se përfaqësuesit politikë tregojnë një lloj arrogance ndaj gazetarëve, qoftë në studio, qoftë në terren. Kjo është e patolerueshme, arrogante dhe shqetësuese.
Reagimi i Blendi Fevziut për VoxNews:
“Unë mendoj se moderatori nuk mund të provokohet dhe as të fyhet në emision. Një njeri politik e ka zgjedhje të vijë ose jo në një debat politik ose në një debat në çdo emision. Por në momentin që e bën këtë zgjedhje duhet të respektojë rregullat e debatit. Ka kohë që përfaqësuesit politikë tregojnë një lloj arrogance ndaj gazetarëve, qoftë në studio, qoftë në terren. Kjo është e patolerueshme, arrogante dhe shqetësuese.
Gazetarët bëjnë punën e tyre dhe kjo duhet respektuar, siç respektohet puna e politikanëve. Ideja që gazetarët duhet të sillen siç mendojnë ata apo duhet t’u binden tekave të tyre është jo e gabuar, por skandaloze. Për fat të keq, vitet e fundit kjo po ndodh. Politikanët janë më arrogantë dhe me mungesë të theksuar respekti ndaj gazetarëve.
Kam qenë, jam dhe do të mbetem me bindjen që politikanët s’janë as më superiorë, as më të përgatitur dhe as padronë të mediave. Secili bën punën e tij dhe vetëm po funksionoi kështu ka vlerë. Ndaj, në rastin në fjalë, me aq sa e kam parë, jam i bindur që Lela duhej ta kishte shmangur konfliktin”.