21 Maj, 2026

Beteja fundore e Erion Braçes

 Beteja fundore e Erion Braçes

Nga Vitjon Nina

Një hap i papritur, por paralel me karrierën e gjatë të një prej figurave më të njohura të Partisë Socialiste: deputeti Erion Braçe ka shpallur vetëofrimin e tij për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës.

Lëvizja e tij nuk është vetëm një hap lokal, periferik – ajo shihet brenda PS-së si një çast fundor i një karriere politike që tashmë i afrohet një kulmi, një “Endgame” pas mbi 30 vjetësh angazhim në politikën shqiptare.

Braçe, i njohur në radhët e socialistëve si një “senator” i PS-së – një figurë e respektuar përvojash, e cila ka kaluar mandat pas mandati si deputet dhe ka ndërtuar një rrjet të gjerë mbështetësish – duket i vendosur të sfidojë status quo-në e kryeqytetit.

Sipas tij, Tirana nuk mund të vazhdojë më me mënyrën aktuale të menaxhimit.

“Siç e kuptuat dhe vetë, kjo situatë nuk mund të jetë më e tillë. Nuk gjejnë zgjidhje problemet që kanë socialistët dhe ka nevojë për një organizim ndryshe”. Me këto fjalë i është adresuar ai mbledhjes së Grupit Parlamentar socialist fundjavën e shkuar.

Mirëpo vetëofrimi nuk duhet parë thjesht si një deklaratë politike. Ai vjen pas një zhvendosjeje strategjike nga zona e tij elektorale në Divjakë drejt Njësisë 5 në Tiranë, ku në zgjedhjet e 11 majit siguroi mbi 23 mijë vota, duke forcuar pozitat e tij në kryeqytet.

Një lëvizje që tregon qartësisht ambicien e tij për të zgjeruar ndikimin dhe për të u përgatitur për garën e madhe.

Edhe në një kohë kur, nga brenda strukturave, u kërkua në mos “eliminimi” i tij, mënjanimi.

Brenda vetë PS-së, kryeministri Edi Rama vazhdon të mbajë si emrin më potencial dhe preferencial për Tiranën Ogerta Manastirliun, e cila u vendos paraprakisht si kandidate për zgjedhjet e pjesshme, të anuluara më vonë në kryeqytet.

Por vetëofrimi i Braçes nuk mund të shihet thjesht si një sfidë individuale dhe i jep një shtresë tjetër garës brenda llojit. Ai është një mesazh i qartë: një njeri me përvojë dhe autoritet brenda partisë po kërkon të marrë drejtimin e kryeqytetit, duke përdorur të gjithë kapitalin e tij politik dhe zgjedhor për të bindur bazën socialiste, edhe nëse bie ndesh me mendimin dhe vendimin e kryetarit.

Detajet e fundit të kësaj lëvizjeje tregojnë seriozitetin dhe përgatitjen strategjike të Braçes.

Më herët gjatë javës së shkuar, ai i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë të veçantë: të sigurohen të gjitha rezultatet e tij si deputet që nga zgjedhja e parë në vitin 1996 në qarkun Berat, përmes të gjitha mandateve të ardhshme në Divjakë dhe deri në Tiranë.

Kërkesa për një bilanc kaq të detajuar – në numër votash dhe përqindje për secilin vit – është hera e parë që një deputet socialist e bën një gjë të tillë.

Ky hap tregon qartë se Braçe po e merr kandidaturën shumë seriozisht dhe po përgatitet për një betejë që mund të shënojë kulmin e karrierës së tij.

Vetëofrimi i Erion Braçes për Tiranën duket kështu si një sfidë e vendosur ndaj mënyrës tradicionale të drejtimit të kryeqytetit. Është një deklaratë politike dhe personale – një Endgame ku eksperienca, reputacioni dhe strategjia bashkohen për të provuar se ky njeri, tashmë “senator” brenda PS-së, mund të jetë zgjidhja që socialistët dhe Tirana presin.

Në këtë histori, çdo detaj – nga votat e siguruara në Divjakë, deri te kërkesa e paprecedentë për bilancin e KQZ-së – tregon jo pak për një figurë politike si Braçe dhe flet me veprim, atë çfarë ai zakonisht e artikulon me fjalë.

Për Braçen, Tirana nuk është më thjesht një qytet ku ai ushtron detyrën e deputetit; është skena e cila mund të vendosë vulën përfundimtare të një karriere që ka nisur para tre dekadash.

Por ashtu si edhe koncepti i Endgame, kjo vulë nuk është e thënë të jetë e adresuar vetëm për suksesin kulmor të tij. Mund të jetë edhe vija e fundit e linjës që s’mund të kthehet më pas.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *