Bashkia e Tepelenës kujtohet për rrugët e fshatrave: Do rregullohen 12 km rrugë
Në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Bashkia e Tepelenës pritet të nisë investimet në infrastrukturën rrugore në zonat rurale, me rreth 12 kilometra rrugë që do t’i nënshtrohen ndërhyrjeve.
Përmirësimi i aksesit rrugor pritet të ndikojë jo vetëm në lehtësimin e jetesës së banorëve, por edhe në zhvillimin e agroturizmit dhe promovimin e potencialeve turistike të zonës.
“Në infrastrukturë janë bërë, bëhet fjalë për rreth 10- 12 km rrugë asfaltike, të cilat janë të nevojshme për të lidhur dhe ato pak fshatra ose zona të cilat kanë mbetur pa u lidhur me qytetin, me qendrën. me qëllim që përveçse ndikimit dhe impaktit që ka në zhvillimin e jetës së banorit dhe përmirësimin e standartit të jetesës, natyrisht nxit edhe ide për të pasur edhe mundësi tregtimi apo mundësitë për të krijuar agro-turizëm.”, thotë Aleks Toti, përgjegjës i Turizmit në Bashkinë Tepelenë.
Paralelisht, Bashkia po punon edhe për vendosjen e sinjalistikës orientuese, e cila do t’u mundësojë vizitorëve akses më të lehtë drejt siteve dhe pikave turistike të kësaj zone.
“Kemi bërë të gjithë hartën domethënë se ku do të vendosin ato dhe ne jemi në fazën që po prodhojmë pra tabelat sinjalizuese përsa i përket monumenteve të kulturës, monumenteve të natyrës, shtigjeve lumore dhe aspekteve historike.”, tha Toti, përgjegjës i Turizmit në Bashkinë Tepelenë.
Me përmirësimin e infrastrukturës dhe orientimin më të mirë drejt destinacioneve turistike, synohet që zonat rurale të Tepelenës të bëhen më të aksesueshme dhe tërheqëse për vizitorët, dhe vetë banorët.