Avionët e NATO-s rrëzojnë një dron që shkeli hapësirën ajrore të Lituanisë
Avionët luftarakë të NATO-s kanë rrëzuar një dron pasi ai hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë, duke shkaktuar alarm në kryeqytetin Vilnius dhe zonat përreth.
Autoritetet lituaneze njoftuan të martën herët se droni u rrëzua pranë fshatit Pratkunai, në afërsi të qytetit Kaunas. Sipas Qendrës së Menaxhimit të Krizave të Lituanisë, të dhënat paraprake tregojnë se droni hyri nga territori i Bjellorusisë dhe po lëvizte në drejtim të perëndimit.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, konfirmoi incidentin përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke deklaruar se droni që hyri në hapësirën ajrore të vendit u shkatërrua nga avionët luftarakë të NATO-s.
“Me intensifikimin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, kjo gatishmëri është jetike për rajonin tonë”, u shpreh Nauseda.
Ministri i Jashtëm lituanez, Kestutis Budrys, falënderoi aleatët për praninë dhe mbështetjen në mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit, duke e cilësuar ndërhyrjen si shembull të unitetit dhe vendosmërisë së NATO-s.
Incidenti ndodh në një kohë kur vendet baltike, Lituania, Letonia dhe Estonia, kanë raportuar në mënyrë të përsëritur shkelje të hapësirës së tyre ajrore nga dronë, që prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.
Ndërkohë, edhe Polonia ka aktivizuar avionët e saj luftarakë si masë parandaluese, në përgjigje të sulmeve me dronë të Rusisë ndaj Ukrainës. Të hënën, ushtria polake njoftoi se kishte gjetur dhe nxjerrë nga Deti Baltik një dron të dyshuar si rus, pranë bregdetit verior të vendit.
Sipas një vlerësimi paraprak të ushtrisë polake, bëhet fjalë për një dron ushtarak rus të tipit Gerbera, një mjet ajror me rreze të gjatë, i prodhuar me materiale të lehta si kompensatë dhe shkumë. Dronë të tillë përdoren shpesh si mjete mashtruese, por mund të pajisen edhe me eksplozivë.
Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, tha se droni u gjet pranë plazhit të Rusinowos, afër Jaroslawiec.
Kryeministri polak Donald Tusk ka paralajmëruar vazhdimisht se vendet anëtare të NATO-s duhet të presin një shtim të provokimeve nga Moska, ndërsa incidentet e fundit kanë rritur shqetësimet për përhapjen e pasojave të luftës në territorin e vendeve anëtare të aleancës.