Aurel Qirjako, vlonjati që shet lule në Athinë
Nga Xhensil Shkëmbi
Aurelin e takova para disa kohësh në Athinë. Rastësisht. Hyra në një dyqan lulesh dhe me foli menjëherë shqip.
Ti ku e di që unë jam shqiptar?
-Të kam parë në televizor. Ti je ai gazetari nga Korça.
Po unë jam. Po ti ç’bën? Si të ecin punët?
-Unë shes lule. Kam ardhur që në 1991. Fillova në fillim me pak, tani kam dyqanin tim
Qenke puntor
-Shumë.
Po emrin si e ke?
-Aurel Qirjako
Nuk e paske ndërruar kur erdhe në fillim ë?
-Jo. E kisha mundësinë por unë jam vlonjat. Ke parë vlonjat të shesë emrin për një kacidhe bukë?
Ama të tjerët e bënë.
-Akoma e bëjnë. Madje, këtu shqiptari nuk e do shqiptarin
Po pse?
-Nuk e di. Vet shqiptari thotë për shqiptarin njëqind të zeza. I pabesë, hajdut, të tëra. Harron që është vet shqiptar.
Po ti me kë rri?
-Me shokë shqiptarë.
Ja ti qenke ndryshe
-Jo bre. Se kushedi e ata sa më shajnë mua. Ama unë prap i dua.
Pse i do?
-Gjuha. Vendi. Vatani. Ore këtu greku jep kokën për shqiptarin. Ne i bëjmë gjithë punët. Këta na duan. Ne nuk duam veten.
Si i bëhet?
-Asgjë. Merri këto lulet falas nga unë e ik mos më ngacmo. Se aq dua unë, e kam hall se do shaj. Se shqiptarin llafi e con tek e shara. Po punove, s’ke kohë të shash…