26 Tetor, 2026

Atentati në Gjirokastër, Policia merr në pyetje 20 persona. Dëshmon shoku i viktimës që ishte në mjet: Nuk di asgjë

 Atentati në Gjirokastër, Policia merr në pyetje 20 persona. Dëshmon shoku i viktimës që ishte në mjet: Nuk di asgjë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për atentatin mafioz me eksploziv të telekomanduar që tronditi Gjirokastrën mbrëmjen e së shtunës. Burime për MCN bëjnë me dije se deri më tani janë shoqëruar dhe pyetur në vendngjarje mbi 20 persona, të cilët mund të kenë pasur dijeni ose kanë parë dinamikën e shpërthimit.

Ndërkohë, dëshmitari kyç i kësaj ngjarjeje, i mbijetuari 26-vjeçar Erigers Mela, ka dhënë dëshminë e tij përpara hetuesve pasditen e së dielës, sapo gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar. I tronditur nga ngjarja ku humbi jetën shoku i tij, Mela ka deklaruar se gjithçka ndodhi brenda pak sekondave dhe se nuk ka pasur asnjë dijeni për rrezikun.

“Nuk di asgjë, jam i tronditur nga sa ndodhi. Hipa në makinën e tij për të më lënë deri tek shtëpia pasi isha në këmbë. Konsumova një kafe dhe doja të ikja në shtëpi. Të ndjerin e kisha shok prej vitesh. Kam hipur në makinë tek hyrja e spitalit të Gjirokastrës. Sa kemi lëvizur, as 30 sekonda, nuk e kuptova më çfarë ndodhi. Që një shpërthim i fuqishëm”, mësohet të ketë thënë 26-vjeçari në dëshminë e tij.

Grupi hetimor i Policisë së Gjirokastrës ka përqendruar hetimet te pista e hakmarrjes. Për të zbuluar më shumë rreth të kaluarës së viktimës, 45-vjeçarit Beqir Devolli, është kërkuar bashkëpunim edhe me policinë e Tiranës, Vlorës si dhe me autoritetet në Greqi.

Hetuesit dyshojnë se lënda plasëse mund të jetë vendosur ditë më parë, kur Devolli kishte udhëtuar drejt kryeqytetit. Që prej muajit qershor, 45-vjeçari ishte rikthyer në Gjirokastër, pasi kishte jetuar për dy vite në Tiranë, por lëvizte shpesh në këtë aks pasi kishte të afërmit e tij.

Lëvizjet e viktimës gjatë ditës së shpërthimit mbeten ende të paqarta. Për këtë arsye, policia ka sekuestruar dhe po analizon me mjaft kujdes kamerat e sigurisë së një banke të nivelit të dytë, si dhe kamerat e rrugëve dhe bizneseve pranë vendit ku ndodhi atentati. Deri më tani policia mbetet tek pista e hakmarrjes.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *