Arratisje spektakolare në Greqi: 41-vjeçari shqiptar nxirret nga makina e burgut me kallashnikov nga persona të maskuar si policë
Një arratisje e organizuar dhe e armatosur ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Serres të Greqisë, gjatë transferimit të një të burgosuri shqiptar nga burgu i Nigritës drejt Spitalit të Përgjithshëm të Serresit.
Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi pak pas orës 23:00, kur 41-vjeçari shqiptar Gentian Cipi ishte dërguar në spital pasi kishte deklaruar se nuk ndihej mirë dhe duhej t’i nënshtrohej ekzaminimeve mjekësore. Transferimi po kryhej nga punonjës të rojës së jashtme të burgut, ndërsa policia greke ka sqaruar se nuk kishte marrë pjesë në këtë shoqërim.
Automjeti i transportit ndodhej në ambientet e jashtme të spitalit, pranë klinikës psikiatrike, kur u shfaqën persona të armatosur. Sipas ERT, autorët dolën nga dy automjete, mbanin veshje që ngjanin me uniforma të njësisë policore OPKE dhe ishin të maskuar. Ata kërcënuan shoqëruesit me kallashnikov dhe nxorën nga furgoni i burgut Gentian Cipin, duke u larguar më pas bashkë me të.
Mediat greke raportojnë se autorët i çarmatosën punonjësit e rojës së jashtme dhe i morën armën njërit prej tyre. Sipas Protothema, një nga automjetet e përdorura nga autorët i ngjante makinave të policisë dhe kishte edhe sinjalistikë të ngjashme, çka fillimisht i bëri shoqëruesit të mendonin se kishin të bënin me efektivë policie.
41-vjeçari shqiptar rezulton të ketë qenë i dënuar ose i paraburgosur për vepra të rënda. Sipas ERT, ai vuante dënim për drogë dhe tentativë vrasjeje, ndërsa SKAI raporton se ishte burgosur në vitin 2025 për një ngjarje të vitit 2024 në zonën e Pylaia-s, në Selanik.
Pas arratisjes, autoritetet greke nisën një operacion të gjerë për kapjen e tij dhe të personave që morën pjesë në aksion. Në kërkime janë përfshirë strukturat e policisë së Serresit dhe Drejtoria për Luftën kundër Krimit të Organizuar në Greqinë Veriore.
Sipas CNN Greece, policia ka gjetur një automjet me targa të falsifikuara, i cili dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët për largimin nga vendngjarja. Deri tani, mediat greke raportojnë se 41-vjeçari shqiptar dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë kapur ende.