Arma iraniane e ujit kundër vendeve të Gjirit Persik
Monarkitë e pasura me naftë të Gjirit Persik shpesh përshkruhen si petroshtete.
Por lufta amerikano-izraelite me Iranin ka nxjerrë në pah se ato janë gjithashtu mbretëri uji të kripur, shoqëri të cilave mbijetesa u varet nga desalinizimi, ose kthimi i ujit të detit në ujë të pijshëm në shkallë industriale. Jeta në Gjirin Persik mbështetet në “magjinë e zezë” të shndërrimit të naftës dhe të ardhurave nga nafta në ujë.
Kjo aftësi teknologjike ka nxitur rritjen dinamike të rajonit, por tani ajo paraqitet si dobësia e tij më e madhe.
Që nga vitet 1970, vendet e Gjirit kanë përqafuar zgjidhje të bazuara në karburantet fosile për mungesën akute të ujit.
Sot, rajoni prodhon më shumë se 40% të ujit të desalinuar në botë në më shumë se 400 impiante. Është e vështirë të teprosh në theksimin e varësisë së tyre nga desalinizimi, i cili siguron 99% të furnizimeve me ujë të pijshëm në Katar, më shumë se 90% në Bahrein dhe Kuvajt, 86% në Oman, 70% në Arabinë Saudite dhe 42% në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmuan për herë të parë Iranin, ata synuan objektivat ushtarake dhe udhëheqjen e vendit. Por më 7 mars, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, akuzoi SHBA-të për kryerjen e një “krimi të hapur dhe të dëshpëruar” duke sulmuar një impiant desalinizimi të ujit të ëmbël në Ishullin Qeshm.
“Sulmimi i infrastrukturës së Iranit është një lëvizje e rrezikshme me pasoja të rënda,” shtoi ai, duke vënë në dukje se SHBA-të, e jo Irani, vendosën këtë precedent.
Ndërsa pretendimi mbetet i pa verifikuar, pasojat e tij janë të qarta. Araghchi sinjalizoi një ndryshim të mundshëm në logjikën e luftës: sistemet e ujit, të cilat prej kohësh trajtoheshin si linja jete civile dhe ishin të mbrojtura nga Konventat e Gjenevës, ishin përfshirë në konflikt. Paralajmërimi i tij ishte i qartë. Nëse infrastruktura e Iranit do të sulmohej, impiantet e desalinizimit në Gjirin Persik do të ishin objektiva të ligjshme.
Të njëjtën ditë, Izraeli bombardoi rreth 30 depo nafte në Teheran dhe në provincën fqinje të Alborzit. Naftë u derdh në rrugë ndërsa një mjegull e errët tymi dhe avujsh toksikë mbuloi kryeqytetin.
Prej asaj kohe, Irani ka reaguar duke zgjeruar objektivat e tij në të gjithë rajonin. Më 8 mars, Bahreini raportoi se Irani kishte shkaktuar “dëme materiale” në njërën prej impianteve të tij të desalinizimit, megjithatë autoritetet sqaruan se nuk kishte pasur “asnjë ndikim në furnizimet me ujë ose në kapacitetin e rrjetit të ujit.”
Që atëherë, lufta është përshkallëzuar.
Sulmet nga të dyja palët kanë goditur të gjitha llojet e infrastrukturës civile, nga hotelet te aeroportet, duke fshirë pothuajse çdo tabu dhe vijë të kuqe ekzistuese. Ndër më shqetësuesit janë sulmet në ose pranë objekteve bërthamore. Irani ka targetuar qytetin Dimona, vetëm disa milje larg Qendrës së Kërkimit Bërthamor Negev Shimon Peres. Izraeli goditi pranë centralit bërthamor të Iranit në Bushehr, duke detyruar stafin rus të Rosatom-it të evakuohej, dhe, më së fundi, sulmoi objektin e përpunimit të uraniumit në Yazd dhe Kompleksin e Ujit të Rëndë të Khondabit.
Por vëmendja globale është përqendruar kryesisht te infrastruktura e karburanteve fosile. Më 25 mars, ministri francez i Financave, Roland Lescure, tha se 30-40% e kapacitetit të përpunimit të Gjirit është dëmtuar ose shkatërruar, duke hequr 11 milionë fuçi në ditë nga tregu ndërkombëtar dhe duke shkaktuar një krizë nafte, veçanërisht në Azi.
Për më tepër, sulmet iraniane ndaj objekteve Ras Laffan të Katarit kanë shkatërruar 17% të kapacitetit të eksportit të gazit natyror të lëngshëm të vendit.
Ndërsa çmimet e naftës u rritën dhe Ngushtica e Hormuzit mbeti kryesisht e mbyllur, presidenti amerikan Donald Trump lëshoi një ultimatum të ashpër më 21 mars, duke kërcënuar se do të “shkatërronte” centralet elektrike të Iranit nëse vendi nuk do ta ri hapte ngushticën brenda 48 orësh.
Si përgjigje, zëdhënësi ushtarak iranian Ebrahim Zolfaqari paralajmëroi se Republika Islamike do të hakmerrej duke goditur infrastrukturën rajonale, përfshirë “impiantet e desalinizimit të ujit.”
Pak më vonë, kanalet pro-regjimit në Telegram dhe mediat sociale filluan të qarkullonin një listë të frikshme të objektivave të mundshëm, duke përfshirë impiantet e desalinizimit Ras al-Khair dhe Shuaiba të Arabisë Saudite, si dhe impiantin e desalinizimit Taweelah dhe centralin bërthamor Barakah të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Siç shpjegon Can Kasapoğlu nga Instituti Hudson, cenueshmëria e infrastrukturës së desalinizimit është një kategori tjetër rreziku. Ndryshe nga ndërprerjet në tregjet e naftës, të cilat kryesisht shkaktojnë pasoja ekonomike duke rritur çmimet dhe duke kufizuar furnizimin, goditja e impianteve të desalinizimit “kërcënon drejtpërdrejt mbijetesën e përditshme në disa nga shtetet më të varfra me ujë në botë.”
Duke u përballur me presion në rritje, Trump njoftoi papritmas një ndërprerje pesëditore të sulmeve ndaj centralave bërthamorë iranianë vetëm disa orë para se të hapeshin tregjet amerikane më 23 mars, me qëllim stabilizimin e çmimeve të naftës; më vonë ai e zgjati afatin deri më 6 prill.
Pavarësisht se Trump lavdëronte bisedimet me Iranin (të cilat Republika Islamike i ka mohuar se po zhvillohen), vendosjet e vazhdueshme ushtarake amerikane në rajon sugjerojnë një përshkallëzim të mundshëm.
Administrata Trump gjithashtu ka refuzuar të përjashtojë mundësinë e marrjes nën kontroll të Ishullit Kharg—përmes të cilit kalon 90% e eksporteve të naftës së Iranit—si pjesë e një përpjekjeje të gjithanshme për të paralizuar ekonominë iraniane dhe për të detyruar riftesën e Ngushticës së Hormuzit.
Nëse SHBA do të ndërmerrte një veprim të tillë, vendet e Gjirit me shumë gjasa do të përballeshin me goditjet e hakmarrjes. Pas sulmeve të mëparshme të SHBA-ve në Ishullin Kharg, Irani akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe për lehtësimin e sulmeve.
Më 25 mars, Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetari i parlamentit iranian, paralajmëroi se nëse Amerika dhe Izraeli pushtojnë një ishull iranian me mbështetjen e një fuqie rajonale, “e gjithë infrastruktura jetike e atij vendi rajonal do të bëhet, pa as një kufizim, objekt i sulmeve të pandërprera.”
Paçka se Ghalibaf nuk ishte i qartë, paralajmërimi me gjasë i referohet Emirateve të Bashkuara Arabe dhe ishujve Kharg dhe Larak, por mund të aludojë edhe në ishujt e kontestuar Abu Musa dhe Tunb i Madh e i Vogël, të pushtuar nga Irani në vitin 1971.
Regjimi iranian po lufton për mbijetesën e tij. Ai nuk mund të mundë SHBA-të ose Izraelin drejtpërdrejt, por mund të shkaktojë dhimbje të gjerë ekonomike dhe të tensionojë marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe Gjirit, si dhe midis gjashtë anëtarëve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.
Ndërsa afati kohor i Trump-it po skadon, a do të rrezikojë SHBA linjat jetësore të desalinizimit të Gjirit në një përpjekje të rrezikshme për të pushtuar Ishullin Kharg dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit? Nëse Irani kundërvepron “pa kufizime”, pasojat mund të shkatërrojnë mbretëritë me ujë të kripur të Gjirit.