21 Maj, 2026

Arlind Qori denoncon faljen e portit të Vlorës për 1 euro, tek Samir Mane

 Arlind Qori denoncon faljen e portit të Vlorës për 1 euro, tek Samir Mane

Kreu i Lëvizja BASHKË, Arlind Qori, ka denoncuar ashpër projektin “Vlora Marina”, duke e cilësuar atë si një tjetër shembull të mënyrës sesi pasuritë publike po u jepen oligarkëve përmes skemës së “investitorëve strategjikë”.

Në reagimin e tij, Arlind Qori denoncoi faktin se qeveria shqiptare i dha me qira simbolike për vetëm 1 euro rreth 57 mijë metra katrorë truall shtetëror në zemër të Gjirit të Vlorës kompanisë “Marina Residences Vlorë”, e lidhur me oligarkun Samir Mane.

Sipas investigimit të publikuar nga BIRN, projekti “Vlora Marina” parashikon ndërtimin e një marine turistike, dy hoteleve luksoze dhe rreth 663 apartamenteve mbi truallin publik të ish-portit ekzistues të Vlorës.

Arlind Qori akuzon qeverinë se po përdor ligjin për “Investimet Strategjike” dhe skemën “Shqipëria 1 Euro” për t’ua transferuar hapësirat publike një grushti oligarkësh, ndërkohë që qytetarët nuk marrin asnjë përfitim real.

Sipas të dhënave të publikuara, apartamentet në kompleks po tregtohen me çmime nga 2500 deri në 3500 euro për metër katror, ndonëse trualli është marrë me qira simbolike nga shteti shqiptar. Ekspertët e ekonomisë kanë ngritur pikëpyetje mbi mungesën e transparencës dhe përfitimeve për buxhetin publik.

Në reagimin e tij, Arlind Qori thekson se Porti i Vlorës, një aset historik dhe strategjik i qytetit, po shndërrohet në një kompleks luksoz privat, ndërsa pasuritë publike po privatizohen në favor të oligarkëve.

Lëvizja BASHKË kërkon gjithashtu rrëzimin e ligjit për “Investimet Strategjike”, duke e cilësuar atë si një mekanizëm që po përdoret për grabitjen e pronave publike dhe tjetërsimin e pronave private në favor të oligarkëve. Sipas saj, i njëjti model është përdorur jo vetëm në Vlorë me projektin e lidhur me Samir Manen, por edhe në zonën e Rrjollit me projektet e oligarkut Bashkim Ulaj dhe në të gjithë bregdetin.

Më herët ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka kërkuar publikisht rishikimin e ligjit për investitorët strategjikë, duke theksuar se procesi është jotransparent dhe favorizon dhënien e tokave publike me çmime preferenciale nën vlerën e tregut.

Ndërkohë, edhe raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit e kanë cilësuar ligjin si klientelist, duke theksuar se shumica e projekteve janë përfituar nga kompani vendase të lidhura me pushtetin dhe jo nga investitorë të huaj seriozë.

Ekspertët kanë paralajmëruar gjithashtu se ky ligj është përdorur kryesisht për resorte turistike dhe pallate luksoze, ndërsa ka krijuar probleme me transparencën, konkurrencën dhe të drejtat e pronës.

Ndërkohë që qeveria dhe oligarkët përfitojnë nga këto projekte multimilionëshe, shumica e partive të tjera politike zgjedhin të heshtin për emra si Samir Mane dhe për mënyrën sesi po transferohen pasuritë strategjike të vendit në duar private.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *