12 Shtator, 2026

Arabia Saudite mbyll tubacionin strategjik, rrezikohet furnizimi global me naftë

 Arabia Saudite mbyll tubacionin strategjik, rrezikohet furnizimi global me naftë

Arabia Saudite ka mbyllur tubacionin e saj Lindje-Perëndim, pasi kjo linjë jetike për transportin e naftës u godit nga ajri, në një kohë kur lufta në Lindjen e Mesme po zgjerohet.

Eksportuesi më i madh në botë i naftës bruto ka mbyllur përkohësisht tubacionin pas një sulmi me dronë, për të cilin si Bagdadi ashtu edhe Rijadi thanë se kishte origjinën nga Iraku, ku veprojnë milici të mbështetura nga Irani. Iraku ka shkarkuar shtunën një komandant ushtarak në përgjigje të sulmit.

Tubacioni prej 1.200 kilometrash, që përshkon Gadishullin Arabik ka ndihmuar Arabinë Saudite të anashkalonte bllokimin e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, ku trafiku i tankerëve është ngadalësuar për shkak të luftës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Ministria saudite e Energjisë tha se tubacioni ishte mbyllur si masë paraprake. Sipas kompanive që monitorojnë lëvizjen e anijeve dhe analistëve, në muajt e fundit përmes kësaj linje janë transportuar 4 deri në 5 milionë fuçi naftë në ditë, sasi që përbën rreth 4% deri në 5% të furnizimit global.

Sulmi ndodhi ndërsa rebelët Huthi të lidhur me Iranin në Jemen kanë forcuar kontrollin e tyre në Detin e Kuq. Kjo situatë, e kombinuar me ndërprerjet në Ngushticën e Hormuzit, ka ngritur pikëpyetje mbi furnizimin me energji në të dyja anët e Gadishullit Arabik dhe ka çuar çmimet globale të naftës mbi 100 dollarë për fuçi.

Katër burime të qeverisë jemenase i thanë Reuters se Huthitë morën të premten ishullin strategjik Perim, në hyrje të Detit të Kuq, në ngushticën Bab el-Mandeb.

Dy zhvillimet e raportuara ditën e djeshme, sulmi ndaj tubacionit dhe marrja e ishullit Perim, mund të përfaqësojnë një përshkallëzim të rrezikshëm, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës kanë ngecur.

Sipas burimeve, Arabia Saudite i ka kërkuar Uashingtonit ndihmë ushtarake kundër rebelëve Huthi. Kërkesa vjen në një kohë kur rritja e çmimeve të karburanteve gjatë luftës ka shtuar presionin politik mbi presidentin amerikan Donald Trump dhe Partinë Republikane përpara zgjedhjeve të Kongresit në nëntor.

Tubacioni Lindje-Perëndim u godit të enjten në mëngjes në rajonet e Riadit dhe Medinës, tha Ministria saudite e Energjisë.

Nuk ishte menjëherë e qartë se kush ishte përgjegjës për sulmet. Imazhet satelitore treguan tym të zi që ngrihej nga një zonë e tubacionit në jug të Medinës. Ministria e Jashtme saudite tha se sulmi shkaktoi disa të plagosur dhe dëme që ende po vlerësoheshin, pa dhënë hollësi mbi ndikimin në eksportet e naftës.

Sipas një deklarate të publikuar të shtunën nga zyra e kryeministrit irakian, komandanti ushtarak irakian i arrestuar kishte drejtuar operacione në provincën Maysan. Kjo provincë, e cila kufizohet me Iranin në Irakun juglindor, konsiderohet prej kohësh një zonë ku veprojnë dhe ruajnë ndikim milicitë shiite të mbështetura nga Irani.

Arabia Saudite deri tani ka zgjedhur të mos kundërpërgjigjet, pas një kërkese të kryeministrit irakian, tha Ministria e Jashtme saudite në një deklaratë. Megjithatë, ministria shtoi se mbretëria rezervon të drejtën për të “marrë të gjitha masat e nevojshme” për mbrojtjen e interesave të saj. Qeveria irakiane i dënoi sulmet.

Furnizimi me naftë bruto saudite ra në nivelin më të ulët në më shumë se tre dekada, tha të premten Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë. Rënia lidhet pjesërisht me sulmet ndaj anijeve që kalojnë përmes Bab el-Mandebit nga grupe të lidhura me Huthitë.

Iraku reagoi duke urdhëruar mbylljen e pikës kufitare Shalamcheh mes Irakut dhe Iranit si masë paraprake, thanë për Reuters dy burime të sigurisë. Kjo pikë kufitare shërben si një nga rrugët kryesore për importin në Irak të perimeve dhe furnizimeve të tjera ushqimore nga Irani.

Dy burimet thanë gjithashtu se autoritetet kishin nisur një operacion në shkallë të gjerë për të gjetur personat përgjegjës për sulmin ndaj tubacionit.

Planet për kundërsulm

Nëse Huthitë marrin kontrollin e Ngushticës Bab el-Mandeb, mbështetësi i tyre, Irani, mund të sigurojë një avantazh të rëndësishëm në luftën me Shtetet e Bashkuara.

Forcat qeveritare jemenase sinjalizuan se do të përpiqen të rimarrin zonat e pushtuara nga Huthitë. Luftëtarët Huthi, të ardhur nga zonat malore, u rezistuan për vite sulmeve ajrore saudite gjatë luftës civile në Jemen dhe këtë javë kanë zhvilluar një ofensivë të shpejtë përgjatë bregdetit të Detit të Kuq.

Reuters raportoi të enjten se përparimi i shpejtë i Huthive përgjatë brigjeve të Detit të Kuq në Jemen u zhvillua me udhëzime të drejtpërdrejta nga Garda Revolucionare e Iranit.

Dy burime iraniane thanë se Irani u kërkoi Huthive javën e kaluar të intensifikonin sulmet ndaj Arabisë Saudite dhe u premtoi më shumë fonde, armë dhe oficerë të lartë për t’i ndihmuar në këto operacione.

Irani i përshkruan Huthitë si aleatë, por mohon publikisht se u jep udhëzime ushtarake, duke deklaruar se ata “nuk janë përfaqësues” të Teheranit.

Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree, tha se lundrimi detar mbetet i sigurt për të gjitha anijet, me përjashtim të anijeve saudite, ndaj të cilave zbatohet një ndalim i shpallur më herët.

Princi saudit i Kurorës, Mohammed bin Salman, e telefonoi presidentin amerikan Donald Trump të paktën dy herë të enjten për të kërkuar ndihmë ushtarake amerikane në luftën kundër Huthive, thanë të premten për Reuters dy burime në dijeni të çështjes, duke konfirmuar një raport të mëparshëm të Axios.

Uashingtoni i tha Riadit se për momentin nuk ishte i gatshëm të ndërmerrte veprime të drejtpërdrejta ushtarake, por se do të ofronte ndihmë përmes shkëmbimit të informacionit të inteligjencës dhe përcaktimit të objektivave, thanë dy burimet.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese të Reuters për koment lidhur me telefonatat mes dy udhëheqësve. Megjithatë, një zyrtar i lartë i administratës amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Uashingtoni ishte në dialog të vazhdueshëm me Arabinë Saudite dhe qeverinë e Jemenit.

Reuters

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *