14 Korrik, 2026

Amerika dha një mesazh të fshehtë për protestën

 Amerika dha një mesazh të fshehtë për protestën

Nga Klementin Mile

Ka një detaj shumë domethënës në deklaratën edjeshme të së ngarkuarës me Punë të SHBA-së në Tiranë.

Ajo nuk foli si diplomate në një event biznesi.

Por si dikush që po përpiqet të stabilizojë psikologjikisht klimën e investimeve, në mes të një krize politike.

Në pamje të parë deklarata e Nancy VanHorn dukej teknike:

“rregulla të qarta”,

“sektorë strategjikë”,

“siguri”,

“standarde ndërkombëtare”,

“investime cilësore”.

Por në politikë nuk ka rëndësi vetëm çfarë thuhet.

Po edhe kur thuhet.

Dhe kjo deklaratë vjen pikërisht në momentin kur protesta e Zvërnecit po krijon perceptimin se Shqipëria është duke hyrë në një krizë të madhe legjitimiteti politik dhe moral.

Prandaj mesazhi nuk ishte për publikun shqiptar.

As për protestuesit.

Mesazhi ishte për

investitorët,

fondet,

biznesin ndërkombëtar,

dhe aktorët strategjikë që po ndjekin situatën.

Të gjithë këtyre VanHorn u tha

“Mos e lexoni protestën si shenjë destabilizimi shtetëror.”

Kjo është arsyeja pse në deklaratën e saj ajo përdor vazhdimisht gjuhën e

sigurisë,

parashikueshmërisë,

rregullit,

institucioneve.

Në fakt kemi përplasje narrativash.

Protesta po përpiqet të thotë

“shteti është kapur.”

Ndërsa retorika amerikane po përpiqet të prodhojë idenë e kundërt:

“shteti funksionon, procedurat ekzistojnë, sistemi është i besueshëm.”

Me fjalë të tjera, sa më shumë rritet temperatura emocionale në rrugë, aq më shumë retorika institucionale ndërkombëtare tenton të simulojë normalitet.

Sepse kapitali global nuk investon mbi emocionin.

Por mbi ndjesinë e kontrollit.

Dhe ndonjëherë, deklaratat më politike janë pikërisht ato që duken krejt teknike.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *