29 Qershor, 2026

Al Capone në Tiranë

 Al Capone në Tiranë

Nga George Kroi

Thuhet se një natë, i lodhur nga monotonia e ferrit, Al Capone i kërkoi Djallit ta lejonte të shkonte për vizitë në Shqipëri.

– Kam dëgjuar se aty më kanë marrë zanatin dhe dua të shoh si po u ecën, i tha.

Djalli qeshi.

– Mirë, shko. Por kujdes, se mund të kthehesh me kompleks inferioriteti.

Këtë radhë qeshi Capone.

Al Capone u nis. Udhetoi jo si boss i kohës së tij, po fluturoi me economy class dhe zbriti në Tirane si një turist i zakonshëm.

Fillimisht vizitoi disa institucione. pastaj disa zyra, më pas njady tendera dhe koncesione dhe pastaj disa pasuri të grabitura që ishin zmadhuar e shtuar si kerpudhat.

Sa më shumë shikonte, aq më shumë heshtte.

Më në fund nxori një blloçkë dhe filloi të mbante shënime si studenti përpara profesorëve…

“Në kohën time duhej të korruptoja policinë, këtu s’qënka e nevojshme.

Në kohen time duhej të blija gjyqtarë, të kërcënoja gazetarët e të fshihja paratë, këtu sistemi është më ekonomik, gazetarët e bëjnë punën gratis dhe paratë bëjnë foto inagurimesh.

Në epokën time mafja jetonte në shtëpi normale, këtu mafja jetoka në kate të larta dhe për t’u patur zili.

Në kohën time gangësterët i fshiheshin shtetit, këtu shteti u fsheka pas gangësterëve.”

Al Capone ndjehu për herë të parë një ndjenjë të çuditshme. Jo krenari. Jooo…fare. Ndjehu turp! Kuptoi se kish mbetur prapa me teknollogjinë.

Pa njerëz që flisnin për demokraci me të njëjtin pasion që ai dikur fliste për kondrabandën.

Pa njerëz që betoheshin për ligjin ndërkohë që e bënin llastikë.

Pa njerëz që predikonin transparencë nga dritare me perde të trasha.

Sa më shumë shikonte, aq më shumë kuptonte se sa ky vend i vogël kish bërë  përpara. Shumë përpara.

Mafja e tij kish qënë primitive. Ajo përdorte armët, frikën, dhunën, hilet. Ketu përdornin proceduara, VKM, prapagandën, marketingun, studio televizive.

Në Çikagon e tij të viteve ’30 frika kishte zhurmë, këtu kish stil elegant.

Këtu nuk kish “Don”, po investitor strategjik, kontrakter të preferuar, operator ekonomik me lidhje të forta institucionale.

Këtu nuk përdorej metoda e tij..kërcënim, kontroll, “mbrojtje”. Jo. Këtu përdorej humbja e mundësive ekonomike, izolimi profesional, mbyllja e dyerve institucionale. Përdorej varësia nga një sistem që nuk të lejon të dalësh jashtë tij.

Në fund të ditës Capone u ul në një kafene dhe porositi një ekspres.

Përballë tij kaloi një kortezh makinash lluksoze. Pas tyre kaluan kamerat. Pas kamerave analistët. Pas analistëve duartrokitësit. Pas duartrokitësve përfituesit. Pas përfituesve heshtja dhe pas heshtjes…fatura. Në çdo sistem të kapur, paguan dikush që nuk është ulur kurrë në tavolinë.

Gangësteri legjendar pasi piu kafenë tundi kokën e duke qeshur tha me vete…”Duhet ta pranoj, këta janë profesionistë, jo unë që kalova jetën duke u përpjekur të kap shtetin. Këta kanë arritur diçka shumë të madhe. Kanë bindur qytetarët se shteti i kapur është liria…kryevepra që kurrë nuk do ta kisha imagjinuar. Në një univers paralel, unë nuk do isha më krimineli i famshëm i Çikagos, po një biznesmen i dështuar që nuk arriti të përshtatej me tregun shqiptar.”

Vuri kapelen, hodhi sytë nga godina e pushtetit dhe u zhduk ne errësirë.

Por para se të largohej përgjithmonë në ferrin ku e priste Djalli, la një letër të shkurtër…

“Dikur më quanin mbret të krimit të organizuar. Pas kësaj vizite, kërkoj të më hiqet titulli.

Al Capone

Ish gangëster i një epoke më pak të sofistikuar.

Screenshot

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *