Aksident i rëndë: Humb jetën shefi i Krimeve të Rënda në Vlorë, baba i dy fëmijëve
Një aksident i rëndë është regjistruar përgjatë autostradës Fier-Vlorë, ku një automjet është përplasur me një fadromë.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën shefi i Krimeve të Rënda të Vlorës, Ermal Lulaj, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.
Aksidenti ndodhi pasditen e sotme, në afërsi të Novoselës.
Ermal Lulaj, rreth të 40-ave, më herët ka shërbyer si shef i Antidrogës. Ai është baba i dy fëmijëve.
Sipas njoftimit të policisë, automjeti tip “Toyota”, me drejtues Ermal Lulajn, dyshohet se për shkak të kushteve të këqija atmosferike dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e mjetit, është përplasur me një mjet të rëndë tip skrep, që drejtohej nga 63-vjeçari Thanas Poçaj.
Paraprakisht, dyshohet se mjeti i rëndë ka qenë pa sinjalistikë në pjesën e pasme.
Si pasojë e përplasjes, Ermal Lulaj ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa 63-vjeçari Thanas Poçaj ka mbetur i plagosur dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.