Ajo që bëri Ndrenika, është e papranueshme
Nga Fitim Zekthi
Shumica e atyre që thanë diçka mbi sjelljen e aktorit R. Ndrenika ndaj kryetarit të bashkisë, E. Veliaj, e kritikuan dhe e shanë. Disa edhe e fyen.
Pati edhe shumë që e mbrojtën, që thanë se ai është aktor i madh, që ka të drejtë të mendojë si të dojë, që ka të drejtë të dojë dikë, që nuk duhet sulmuar apo kritikuar sepse është këndvështrimi i tij etj.
Në të vërtetë duhet thënë se fyerjet nuk janë asnjëherë të pranueshme, por edhe përkrahja, vlerësimi, aq më keq mbrojtja dhe lavdërimi i politikanëve të akuzuar për korrupsion, është e papranueshme.
Artistët, intelektualët, profesorët, hoxhallarët, priftërinjtë etj. nuk mund të marrin në mbrojtje kurrë njerëz të pushtetit që akuzohen për korrupsion dhe padrejtësi.
Edhe sikur Veliaj të jetë i pafajshëm, ai është një pushtetar i lartë i akuzuar për korrupsion, mashtrim, fshehje pasurie dhe kërcënim të drejtësisë.
Ajo që bëri R. Ndrenika është e turpshme. Ai mund ta dojë si njeri, mund ta ketë mik, mund t’i çojë ushqim apo dhurata në burg, mund ta ngushëllojë, mund t’i lexojë poezi Veliajt (dhe kjo është plotësisht njerëzore), por të shkojë në gjyq dhe ta përkrahë publikisht, kjo është shumë e ulët dhe fyese për gjykatën, për drejtësinë dhe sidomos për njerëzit, për popullin e vet.
Askush nuk duhet ta linçojë Ndrenikën, por duhet të përçmojë dhe përbuzë sjelljen e tij. Askush nuk duhet ta justifikojë sjelljen e tij. Ajo është e pajustifikueshme.
Artistët, intelektualët, profesorët, hoxhallarët, priftërinjtë, gazetarët ekzistojnë për të qenë kundër pushtetit, sidomos pushtetit që akuzohet se vjedh, abuzon, mashtron apo kërcënon drejtesine.