Agimi i Artë i Zvërnecit
Nga Leonard Mitro
Simbolikat, veç të tjerash identifikojnë projeksionin e një Shqipërie vezulluese, deri diku biblike në rrezatimin e saj. Ashtu siç po na e prezanton edhe kryeministri Edi Rama në fakt Shqipërinë e vizatuar nga vetë ai. Me pak fjalë Shqipërinë në pragun e një Agimi të Artë me shkëlqimin dhe magjinë e dollarëve të Katarit. Dhe kjo është Shqipëria që të gjithë po e shohim, Shqipëria e miqve të prima-donës socialiste, progresiste. Shqipëria e Alabarit, Xhillarit, Albstarit…etj.
Ka një paradoks në portretizimin që zoti Rama kërkon t’u bëjë protestuesve ose atyre qytetarëve që nuk e miratojnë apo nuk e honepsin më siç thuhet në gjuhën popullore. Protestuesit që kanë dalë në shesh ai i ka identifikuar me Agimin e Artë, duke aluduar se reagimi qytetar kundër tij është orkestruar nga një ish-parti neonaziste e infiltruar nga vendi fqinj, Greqia. Nuk është çudi që konspiracioni të ketë turbulluar mendjen e kryeministrit në këto kohë të vështira për të.
Akoma më ironike është se në preambulën e Agimit e Artë, kjo parti e shihte veten në krye të një misoni, fati i të cilit ishte të pastronte kombin grek nga rënia sociale e lidhur me korrupsionin, mashtrimin, interesat partiake dhe kleptokracinë. Misioni i partisë ishte të udhëhiqte popullin në një luftë të vështirë drejt “virtytit, vetëpërmirësimit dhe prosperitetit“.
Në Shqipëri këtë mision publikisht e ka marrë përsipër Edi Rama dhe angazhimet e tij që përputhen me narrativën e një rilindje kombëtare të këtij lloji jane te shkruara dhe te dokumentuara me zë dhe figurë. Për analogji në kontektsin shqiptar Agimi i Artë në mendësi dhe metodologji mund të identifikohet me Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe kryetarin e saj Edi Rama. Dhe pasqyra e kësaj metogologjie ishte episodi i qytetarit që u tërhoq zvarrë nga huliganë të maskuar brenda një rrethimi me tela me gjemba të ruajtur nga Policia e Shtetit.
Në Zvërnec Agimi i Artë i drejtuar nga Edi Rama bëri demostrimin e forcës, pushtetit dhe vizionit që ka për padronët e Shqipërisë. Anëtarë të Agimit të Artë janë po ashtu të gjithë ata që po u fryjnë tamburove të zotit Rama për armiq të brendshëm e të jashtëm dhe që i bëjnë osana arrogancës së tij. Ata që dolën në shesh duhet të jenë parathënia e një tjetër agimi për të cilin ka nevojë shoqëria shqiptare, parathënie e një shteti të së drejtës, shanseve dhe mundësive të barabarta, ku padyshim edhe turizmi dhe zhvillimi i tij kanë rëndësinë e vet pa qenë nevoja për tela me gjemba që zbresin deri ne det.