A po përgatitet lirimi nga burgu, i Erion Veliajt?
Nga Elton Qyno
Sokol Sadushi i Gjykatës së Lartë, me vendimin e fundit unifikues të shpallur ditën e sotme, i ka shtruar “trashenë” juridike Erion Veliaj për të dalë nga qelia e paraburgimit të Durrësit.
Përmes interpretimit të pikës dy të vendimit Unifikues, Gjykata e Lartë, sqaron përmes rreshtave se gjykatat e mëposhtme gjatë shqyrtimin të kërkesave të prokurorisë për caktimin e masave të sigurisë, duhet të kenë parasysh dhe të mbështeten edhe tek rrethanat e çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës penale, pasojat, personalitetin, sjelljen dhe të dhënat personale e familjare.
Më konkretisht Gjykata e Lartë sqaron se: “…masa “arrest në burg” ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme.
Rrezikshmëria e veprës dhe e autorit, nuk mund të nxirret vetëm, ose kryesisht, nga natyra e veprës penale apo nga marzhi i dënimit, por duhet të mbështetet në një vlerësim konkret të rrethanave të çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës, pasojave, personalitetit, sjelljes dhe të dhënave personale e familjare të personit ndaj të cilit kërkohet masa...”.
Një vendim Unifikues i Gjykatës së Lartë që duket si kostum i qepur për Erjon Veliajn, kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili do përpiqet tashmë ta shfrytëzojë këtë vendim përmes avokatëve të tij të paguar qindra-mijëra dollarë të kërkojnë ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest në burg” në një masë më të butë alternative siç është masa e “Arrestit në shtëpi” dhe jo vetëm.