A po kthehet Armenia në një nyje të re mes Lindjes dhe Perëndimit?
Armenia po shihet gjithnjë e më shumë si një potencial “kryqëzim strategjik” mes Lindjes dhe Perëndimit, ndërsa zhvillimet politike dhe procesi zgjedhor po e vendosin vendin në qendër të një përplasjeje të madhe gjeopolitike.
Qeveria e kryeministrit Nikol Pashinyan po promovon një vizion të ri për vendin, duke synuar hapjen e kufijve me Turqinë dhe Azerbajxhanin dhe integrimin në korridoret e reja tregtare që lidhin Kinën me Evropën, duke anashkaluar rrugët tradicionale përmes Rusisë dhe Kanalit të Suezit.
Ministri i Jashtëm, Ararat Mirzoyan ka deklaruar se qëllimi i qeverisë është ta shndërrojë gjeografinë e Armenisë në një aset strategjik, duke e pozicionuar vendin si një “urë” mes Evropës, Azisë Qendrore, Lindjes së Mesme dhe Azisë.
Sipas tij, hapja e kufijve dhe normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët do të ndryshonte rrënjësisht rolin e Armenisë në rajon, duke rritur potencialin ekonomik dhe politik të vendit.
Një element i rëndësishëm i këtij vizioni është edhe projekti i njohur si “Trump Route for International Peace and Prosperity”, i cili synon të krijojë një korridor transporti përmes territorit armen, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë paqeje me Azerbajxhanin.
Megjithatë, ky transformim strategjik po shoqërohet me tensione të brendshme politike dhe ndarje të thella në shoqëri.
Pashinyan, i cili kërkon një mandat të tretë, po përballet me opozitë pro-ruse dhe kritika për mënyrën si është menaxhuar konflikti me Azerbajxhanin, përfshirë humbjet ushtarake të viteve 2020 dhe 2023 dhe zhvendosjen e popullsisë armene nga Nagorno-Karabakh.
Opozita e akuzon qeverinë për lëshime ndaj Azerbajxhanit dhe për dobësim të pozicionit të Armenisë në rajon, ndërsa mbështetësit e Pashinyan argumentojnë se alternativa do të ishte vazhdim i konfliktit dhe izolimit ndërkombëtar.
Procesi i paqes mbetet i papërfunduar, me një pengesë kryesore kërkesën e Azerbajxhanit për ndryshime kushtetuese në Armeni, për të hequr referenca që lidhen me pretendimet territoriale ndaj Nagorno-Karabakh.
Në këtë kontekst, Rusia po përpiqet të ruajë ndikimin e saj në rajon, ndërsa BE dhe SHBA po mbështesin më hapur orientimin e ri të Armenisë drejt Perëndimit.
Ekspertët paralajmërojnë se, edhe në rast të një marrëveshjeje paqeje, Armenia mund të përballet me një periudhë të gjatë paqëndrueshmërie politike, mes një opozite pro-ruse dhe një qeverie gjithnjë e më të polarizuar, ndërsa e ardhmja e vendit mbetet e varur nga ekuilibrat e brishtë rajonalë.