Baton Haxhiu i është përgjigjur akuzave për të birin nga studio e “Opinion”. Pretendimet që kanë qarkulluar në median online, flasin se Andi Haxhiu ka përfituar pagesa mujore nga fondi sekret i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).
Këto akuza janë publikuar në vazhdën e një prej skandaleve më të mëdha që kanë prekur SHISH ditët e fundit, ku tashmë ish-drejtuesja Vlora Hyseni, akuzohet për shpërndarje të informacioneve konfidenciale te Ergys Agasi dhe për lidhje të ngushë me këtë të fundit.
Baton Haxhiu mohoi kategorikisht lajmin për të cilin thotë se është fabrikuar nga Enver Bytyqi. Mandej, Haxhiu tha se i biri, e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Tiranës ku dhe ka fituar.
“Jo që ska punuar, ai ka qenë në Edimburg, është një prej doktorëve të shkencave më të rinj atje. Më vjen turp që një njeri që është i afër i Berishës e ka nis këtë histori.
Me instistimin e vetë Andit, se është parimor, e ka fituar gjyqin me një kriminel shkronjash që e ka nis këtë histori. E ka fituar gjyqin dhe asnjëherë se ka bërë publike. E ka fituar në Tiranë. Njeriu që e ka nis këtë gjë është, jep mësim ose është në Durrës.
Ky kriminel që pastaj lutej në gjykatë ti falje ai mëkat… Gjykata e ka dënuar me gjobë. Ka kërkuar një lloj mëshirë, Andi si parimor nuk i ka dhënë mëshirë dhe nuk i ka lënë ndërmjetësim.
Andi nuk ka qenë i lidhur fare me Shqipërinë. Enver Bytyqi që është një kriminel shkronjash që e ka vendos si fjali të parë dikur që Andi punon si këshilltar në ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë. Andi 22 vjec në atë kohë.”
Ai iu përgjigj dhe akuzave të Sali Berishës, se solli Vjosa Hysenin në Shqipëri.
“Batoni, që është edhe një nga rekomanduesit kryesorë ose dorëzani i saj, shkruante shkrimin se Vlora e kishte dashurinë në funksion të shërbimit, e dëgjoni se çfarë marrëzirash? Në mënyrë që ta kanalizojë te historia rozë”.
Kjo ishte deklarata e kryedemokratit, Sali Berisha, për gazetarët nga ambientet e jashtme të Parlamentit, duke akuzuar Haxhiun se “ka sjellë në Shqipëri” Hysenin.
“Dua ti përgjigjem njeriut i cili… ai njeriu i cili del në konferencë për shtyp, kryetari i përjetshëm i PD, atij nuk i del asgjë. Ai ka natyrën e rrëfimit shpifësë. Nuk e di se sa njerëz të Kosovës vijnë në Shqipëri ose janë të emeruar në qeveri, e të thonë se Baton Haxhiu i ka sjellë. Asnjëri, asnjë të vetëm.
As nuk e kam sugjeruar, as nuk e kam sjellë. As nuk e kam takuar ndonjëherë. As emrin Vlora Hyseni. Vlora Hysenin për herë të parë emrin e saj e kam dëgjuar kur është emëruar këshilltare e Edi Ramës. As e kam dëgjuar, as e kam takuar”, tha Baton Haxhiu.
Reagon Berisha
Sali Berisha ka reaguar publikisht pasi analisti Baton Haxhiu e mohoi nga studio e “Opinion” pretendimin e kreut të PD, se ai “ishte dora” që solli në Shqipëri ish-kreun e SHISH Vlora Hysenin, e cila sot akuzohet për lidhje të ngushta me Ergys Agasin.
Berisha këmbëngul në deklaratën e dhënë sot jashtë Parlamentit, se ardhja e Vlora Hysenit nga Kosova në Shqipëri është produkt i paktit mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, e për emërimin në krye të SHISH “kumbar” është Baton Haxhiu.
“Miq, sonte në “Opinion”, drejtuesi i emisionit z. Blendi Fevziu, gjatë debatit kushtuar skandalit të shekullit rekordit më të zi në fushën e sigurisë në historinë e Shqipërisë, madje edhe të botës shtroi pyetjen: Kush e solli Vlora Hysenin?
Sa i zi është rekordi i arrestimit të saj, po kaq bizar, i paimagjinueshëm dhe unik në botë është edhe emërimi i saj në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar, pas shkarkimit nga Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës nga detyra e zëvendësdrejtoreshës së Shërbimit Informativ të Kosovës.
Kjo nuk ka ndodhur kurrë dhe, si rregull, nuk mund të ndodhë! Por fakti është se kjo ka ndodhur me Vlora Hysenin!
Logjika e vetme e këtij akti është se Vlora Hyseni, pas shkarkimit nga detyra në Kosovë për shkak të akteve të saj, sipas mediave, për shkarkimin e bazës së të dhënave të shërbimit informativ të Kosovës dhe dorëzimin e tyre shërbimit inteligjent të Beogradit, u emërua drejtore e Shërbimit Informativ të Shqipërisë nga patroni i përbashkët i Edi Ramës dhe Vlora Hysenit, Aleksandër Vuçiç.
Fill pas emërimit të saj, sipas burimeve të pakontestueshme, ajo fluturoi në Beograd ku kaloi 10 ditë. Në fakt, rëndom flitet se kumbar i këtij emërimi ka qenë Baton Haxhiu, i cili për arsye ligjore është i detyruar të betohet se nuk e ka takuar asnjëherë!”, shkruan Berisha.