A është kjo gënjeshtra më e madhe e dekadës?
Ulsi Manja pati nderin së fundmi të shpallë tre qytete të reja në Shqipëri. Në një kohë kur, jo vetëm fshatrat, por edhe qytetet po zbrazen nga popullsia që arratiset nga keqqeverisja, kjo duhet të regjistrohet si gënjeshtra më e trashë në shumë kohë.
Ndasia rural-urban në Shqipëri ka qenë veçanërisht e ashpër, me të qenit “qytetar” të konceptuar si klasë sunduese dhe të qenit “fshatar” sinonim i njeriut apolitik. Me të ashtuquajturën “reformë” territoriale të vitit 2015, ndarja u bë më akute. Fshati u zhvesh nga strukturat vetëqeverisëse dhe u kthye në një provincë të qytetit, qeverisur nga distanca, dhe zhveshur nga përfaqësimi, dënuar për rrjedhojë me braktisje.
Në këto kushte, një gënjeshtër e Ulsi Manjës, i cili shpalli në një deklaratë në Facebook themelimin e tre qyteteve, duhet të mbahet shënim si gënjeshtra më e pacipë e këtij viti, e ndoshta e dekadës. Manja shpalli Maqellarën, Kastriotin dhe Shupenzën “qytete” në statusin e tij në Facebook, gjë që na shtyn te pyetja: “Çfarë është një qytet!?! Si themelohet një “qytet” dhe si një vendbanim i njohur si “qytet” pushon së ekzistuari.
Tre “qytetet” e reja të Shqipërisë të shpallura nga Manja janë njohur deri më sot si qendra komune. Maqellara me të gjithë fshatrat përbërës rezulton se ka 8,700 banorë, Kastrioti ka 5,200, ndërsa Shupenza ka 4600 banorë.
Historikisht, të qenit qytet është status që jepet nga mbreti me dekret ose nga sulltani. Për shembull, Tirana mori statusin e Kasabasë, pasi sundimtari, Sulejman Pashë Bargjini, ndërtoi një xhami si dhe banjat, të cilat ishin parakushte që një qendër tregtie, siç Tirana ishte në atë kohë, të fitonte statusin e kasabasë, apo qytezës.
Ndërsa në kohën e komunizmit, statusi i qytetit jepej në lidhje me krijimin e një aktiviteti administativ në përmasa të konsiderueshme, ose si rrjedhojë e krijimit të një industrie.
Me një fjalë, thelbi i të qenit qytet konsiston me punëzënien e popullsisë, punëzënie e cila duhet të jetë jobujqësore. Por të qenit qytet është gjithashtu status politik, nënkupton të kesh një kryetar, apo këshill, apo një këshill bashkë me një kryetar.
Shqipëria komuniste shpalli shumë qytete në lidhje me industrinë, të cilat vijojnë të mbeten nominalisht qytete pavarësisht se industria nuk është më.
P.sh, pakkush e di që në Bashkinë Tiranë ka dy “qytete”. Njëri merret me mend lehtë, tjetri, ka gjasa do t’ju hutojë paksa. Krraba është “qyteti” i dytë i Bashkisë Tiranë, shpallur në kohën e komunizmit për shkak se një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ekonomik në atë kohë lidhej me minierën e qymyrit. Miniera e qymyrit u mbyll tre dekada e gjysmë më parë. Popullsia e zonës ka emigruar, ose i është rikthyer bujqësisë, ose punon në Tiranë punë jobujqësore.
Po kështu, Rrogozhina u shpall qytet për shkak se një punishte sapuni u ndërtua dikur, me qëllim prodhimin e sapunit përmes përdorimit të mbetjeve të mullinjve të vajit të ullirit. Fabrika është mbyllur, por si aktivitet jobujqësore, qyteza ka bashkinë dhe burgun e Rrogozhinës.
Po Maqellara, Kastrioti dhe Shupenza, çfarë kanë që u shpallën qytete, jo me dekret të mbretit, as me vendim të qeverisë, por me status në Facebook nga Ulsi Manja? Administratë dhe këshill nuk kanë, sepse modeli i qeverisjes konsiston te pushteti që buron nga Rama dhe që mbaron me Ramën, kështu që pyetja është nëse në ndonjë nga këto tre zona ka ndonjë aktivitet ekonomik jobujqësor.
Shupenza dihet se ka një burim mermeri, por se sa shfrytëzohet dhe nëse ka apo jo të punësuar mjaftueshëm sa për të shpallur një vendbanim “qytet”, kjo mbetet për t’u parë.
Vala e fundit e shpalljeve të qyteteve i takon Sali Berishës dhe është viti 1994. Rënia e komunizmit në Shqipëri solli krijimin e sistemit të pensioneve me dy kategori. Berisha shpalli një dyzinë me vendbanime “qytete” me një të rënë të lapsit. Që nga ajo kohë, shumë nga vendbanimet e shpallura edhe më herët “qytet” sot janë fantazmë. Kurbneshi, Repsi, Kami, janë ish-qyteza minerare. Ligjërisht gjithsesi mbeten “qytete”.
Shqipëria po zbrazet nga popullsia në përmasa të jashtëzakonshme. Dibra, në territorin e së cilës Manja shpalli plot dy qytete të reja, ka pësuar rënie me 18% të popullsisë mes viteve 2011 dhe 2023. Bulqiza, ku gjendet “qyteti” tjetër i ri, pra Shupenza, ka pasur rënie me 14%. Mati ka pësuar rënie me 37%, por këtu Manja nuk shpalli qytet të ri. Rënia drastike e popullsisë po bën që edhe qytetet e mëdha po tkurren e po bëhen fshatra. E kundërta, fshatrat që bëhen qytete, kjo duhet të mbahet shënim si një gënjeshtër shumë e pacipë.
