A është kjo arsyeja pse Rama tha që Karçanaj është “e pastrehë”?
Duket si një strategji e mirëfilltë “damage control” (kontroll dëmi) nga ana e qeverisë në lidhje me skandalin e AKSHI-t. Intervista e fundit e Mirlinda Karçanajt dhe fushata agresive mediatike ndaj Daniel Shimës nuk janë të rastësishme. Ka zëra se Shima mund të jetë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe ka përdorur pajisje përgjimi për llogari të SPAK-ut. Në këtë kontekst, etiketimi i tij si “hajduti i pangopur” me troje e pasuri shërben për të diskredituar dëshminë e tij. Kulmi i kësaj loje politike vjen nga Edi Rama, i cili përmes metaforës së “të pastrehës” Karçanaj, tenton të viktimizojë drejtoreshën dhe të largojë vëmendjen nga lidhja e drejtpërdrejtë me Ergys Agasin.
Nga Dorin Xhima
Gjatë intervistës në emisionin Top Story me Grida Dumën, ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ka folur edhe për ish-zëvendësin e saj, Daniel Shima, i cili u denoncua i zhdukur për disa orë nga familjarët e tij, për t’u kthyer më pas në shtëpi dhe duke thënë në polici se është larguar vetë.
“Daniel Shima ka qenë përgjegjës për të gjithë procesin administrativ të procesit të prokurimit. Unë kam qenë e përqendruar të plotësohet procedura teknologjike për tu bërë AKSHI, ky që është sot.
Unë personalisht nuk jam marrë me këtë proces, por jam përkushtuar për të ndjekur me kujdes këtë proces që të bëhet brenda rregullave.
Në një periudhë unë e kam deleguar autoritetin kontraktor te Daniel Shima dhe gjatë kësaj periudhe nuk kam pasur komunikim në lidhje me këtë procedurë.
Unë nuk dua të paragjykoj Daniel Shimën në lidhje me atë çka po thuhet në media, por duhet të them se institucionet duhet të hetojnë me seriozitet.
Për të mirën flet vetë historia e AKSHI-t, ndërsa për të keqen do të duhet të presim fundin e hetimeve dhe vendimet e gjykatës”, u shpreh Karçanaj.
Pse po sulmohet Shima
Rreth figurës së Daniel Shimës, një ish-zyrtar i AKSHI po zhvillohet prej ditësh një debat i ndezur publik, i ushqyer nga publikime mediatike dhe akuza për pasuri, troje dhe ndërtime.
Një burim që dëshiron të ruajë anonimatin i tha gazetës DITA se Shima është bashkëpunëtor i drejtësisë në hetimet e lidhura me çështjen AKSHI dhe se vala e sulmeve ndaj tij lidhet me këtë rol të tij.
Sipas informacioneve të rezervuara, por që nuk janë konfirmuar ende me dokumente publike, Shima ka mbajtur aparat përgjimi në muajt para shpalljes së masave të SPAK në dosjen e AKSHI-t.
Nëse kjo do të konfirmohej zyrtarisht, do të ndryshonte ndjeshëm mënyrën se si duhet lexuar sulmi publik i fundit ndaj tij.
Në praktikën hetimore, bashkëpunëtorët e drejtësisë (“të penduarit”) shpesh bëhen objekt presioni dhe sulmi publik, veçanërisht kur dëshmitë e tyre prekin struktura më të mëdha interesi.
Ajo që bie në sy është sinkronizimi i fushatës mediatike kundër tij me zhvillimet hetimore në çështjen AKSHI dhe përmendjen e emrave të zyrtarëve të niveleve më të larta nën hetim.
Në këtë lojë narrative, rol aktiv ka marrë edhe vetë Kryeministri. Deklarata e Ramës, kur e cilësoi Karçanajn si “të pastrehë”, duket se ka qenë një lëvizje e vetëdijshme dhe pjesë e skenarit për të ndihmuar narrativën ku Shima projektohet si fajtori i vetëm.
Po ashtu, publikimet më agresive për pasuritë e tij kanë ardhur nga media të lidhura me qeverinë, çka e shton habinë por edhe nevojën për distancë kritike në leximin e tyre.
Në këtë pikë, narrativa “hajdut i vogël – hajdut i madh” po përdoret për të relativizuar përgjegjësinë e niveleve drejtuese që dyshohet se kanë përfituar shuma shumëfish më të mëdha.
Kështu synohet të goditet njëkohësisht në dy drejtime: të diskreditohet personi që mund të ketë ekspozuar skemën dhe të largohet vëmendja e publikut nga aktorët kryesorë të skandalit të AKSHI-t.
Pyetjet mbi të cilat duhet të reflektojnë relativizuesit e skandalit AKSHI, te “hajduti i vogël” janë: A ka Shima status zyrtar bashkëpunimi me drejtësinë? A ka lidhje kohore dhe faktike mes rolit të tij dhe sulmeve të tanishme?