A duhet hetuar Emiriana Sako, për vrasje indirekte?
Nga Ylli Tafaruçi
Dënim maksimal për shoferin, por edhe për ata që qeverisin!
Para disa vitesh, kryebashkiakja Emiriana Sako reklamonte rindërtimin e shkollës “Shaqe Mazreku”, ish-shkolla “Maliq Muço”. Unë vetë kam qenë nxënës i kësaj shkolle dhe ju garantoj funksionalitetin e oborrit që shihni në foto.
Aty, si fëmijë, ishim të mbrojtur: paraditeve shkollore luanim të sigurt, ndërsa pasditeve kishim sërish një hapësirë për të luajtur futboll, pa qenë nevoja të dilnim në rrugë. Shkolla e re që u ndërtua është më shumë një ndërtesë brutaliste pa oborr dhe pa hapësirë rikreative.
Pas tërmetit u bë një reformë e re për planimetrinë e shkollave, duke i lënë shumicën prej tyre pa oborre dhe duke i mbyllur jashtë orarit dhe ditëve mësimore. Sot, fëmijët nuk kanë ku të luajnë dhe, natyrshëm, ose qëndrojnë në shtëpi, ose detyrohen të dalin në rrugët e lagjeve.
Rrugët e lagjeve i dimë të gjithë si janë: pa sinjalistikë, pa infrastrukturë dhe me njerëz të papërgjegjshëm që, me arrogancën e tyre, i përdorin makinat si trofe lufte.
Ajo që ndodhi dje nuk është rasti i parë, fatkeqësisht. Por duhet të shpresojmë dhe të veprojmë që të jetë i fundit, duke krijuar ambiente të sigurta për fëmijët dhe duke dënuar maksimalisht këta kriminelë.

1 Comment
Eshte nga prapa oborri o zylyf