Nga Dropulli në majën e Europës, kush është legjenda e kombëtares që u bë shkak që Stavro Pilo të zgjidhte Shqipërinë
Stavro Pilo po përjeton një periudhë fantastike në arenën europiane. Mbrojtësi shqiptar ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij në nivelet më të larta të futbollit, ndërsa goli ndaj Real Madridit në Champions League ishte një tjetër dëshmi e formës së shkëlqyer që po kalon.
I lindur në Greqi, por me origjinë nga Dropulli, Pilo zgjodhi të përfaqësojë Shqipërinë, duke veshur fanellën kuqezi. Deri më tani, mbrojtësi ka regjistruar pesë paraqitje me Kombëtaren, pasi u zbulua dhe u afrua nga trajneri Sylvinho.
Por si mbërriti emri i tij në vëmendjen e drejtuesve të futbollit shqiptar? Pas kësaj historie qëndron një ndërhyrje e veçantë e legjendës së portës, Foto Strakosha, babait të portierit Thomas Strakosha.
Ish-portieri i Kombëtares telefonoi presidentin e FSHF-së, Armand Duka, për t’i bërë të ditur se njihte një talent me origjinë nga Dropulli, i cili luante në të njëjtën skuadër me djalin e tij, Thomasin.
Gjatë bisedës, Foto Strakosha dha edhe vlerësimin e tij për futbollistin, duke theksuar: “Po bën paraqitje të mira”.
Një sugjerim që rezultoi vendimtar në rrugëtimin e Piloss drejt fanellës kuqezi. Sot, ai po konfirmon se ishte një zgjedhje e goditur, jo vetëm në Kombëtare, por edhe me fanellën e AEK-ut.
Mbrojtësi i krahut të majtë po spikat me paraqitjet e tij, duke lënë gjurmë edhe në skenën më të madhe europiane. Dy prej momenteve më të veçanta janë golat e realizuar ndaj Manchester Cityt dhe Real Madridit, që kanë bërë edhe më shumë jehonë emrin e futbollistit me origjinë shqiptare.