5 Nëntor, 2026

Khamenei urdhëron përgjigje maksimale ndaj çdo sulmi të mundshëm të SHBA dhe Izraelit

 Khamenei urdhëron përgjigje maksimale ndaj çdo sulmi të mundshëm të SHBA dhe Izraelit

Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka urdhëruar komandantët më të lartë ushtarakë të vendit që çdo sulm i ri nga SHBA dhe Izraeli të marrë një përgjigje të menjëhershme dhe efektive, pa kufizime gjeografike.

Në një deklaratë të publikuar nga zyra e tij, Khamenei theksoi se reagimi duhet të synojë arritjen e “frenimit maksimal”. Ky është takimi i parë i bërë publik mes udhëheqësit iranian dhe tre komandantëve më të lartë të forcave të armatosura që prej nisjes së luftës.

Takimi zhvillohet në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e sulmeve të mëdha ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA.

Sipas deklaratës, Khamenei u tha komandantëve se në rast të një sulmi të ri ushtarak apo terrorist, do të jenë Forcat e Armatosura dhe populli iranian ata që do të përcaktojnë se kur dhe në çfarë kushtesh do të përfundojnë armiqësitë.

Në takim morën pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerali Ali Abdollahi, komandanti i ushtrisë, gjeneralmajor Amir Hatami, dhe komandanti i Gardës Revolucionare, gjeneralmajor Ahmad Vahidi.

Komandantët e informuan Khamenein mbi gatishmërinë ushtarake përgjatë vijës bregdetare të Gjirit Persik, në Ngushticën e Hormuzit, Gjirin e Omanit dhe në kufijtë veriperëndimorë e juglindorë të Iranit. Ata raportuan gjithashtu për një rritje disa herë të prodhimit të municioneve dhe armëve të zbulimit, mbështetjes dhe luftimit.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi për Al Jazeera se zyrtarë të nivelit të lartë kanë diskutuar një propozim të paraqitur nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance. Ai e cilësoi përpjekjen e Uashingtonit për të hapur bisedimet si një “hap pozitiv”.

Megjithatë, Teherani ka paraqitur disa kushte për një marrëveshje, mes tyre heqjen e sanksioneve, reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në rajon dhe njohjen e një rruge detare në Ngushticën e Hormuzit, të dakordësuar me Omanin.

Bisedimet mes ndërmjetësuesve vijuan edhe të shtunën në Doha të Katarit, në përpjekje për të rifilluar negociatat e drejtpërdrejta mes SHBA-së dhe Iranit dhe për të shmangur një përshkallëzim të ri të konfliktit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *