Rama pretendon se është neutralizuar një dron me eksploziv që synonte Kryeministrinë: Nga shtetet armike, te politikani i njohur, ja kush qendron pas protestës
Kryeministri Edi Rama ka bërë një pretendim lidhur me protestat e ditëve të fundit, duke deklaruar se dy ditë më parë është neutralizuar një dron me eksploziv, i cili sipas tij ishte destinuar të godiste Kryeministrinë dhe t’i vinte zjarrin oborrit të brendshëm të godinës.
Rama vijon të këmbëngulë se protesta nuk është thjesht një reagim i të rinjve dhe studentëve, por sipas tij pas saj qëndrojnë persona të tjerë. Ai u shpreh se të rinjtë janë të frustruar dhe kërkojnë ndryshim, por pretendoi se janë kthyer në “pengje” të një grupi që e cilësoi si “grupi i zjarrit”.
Kreu i qeverisë akuzoi gjithashtu personat e maskuar se përdorin edhe të miturit si mburojë gjatë përplasjeve në bulevard.
“Rinia dhe studentët janë të frustruar dhe të inatosur, duan ndryshim dhe është në natyrën e qenies së tyre, por me keqardhje them se kjo rini dhe këta studentë që janë në bulevard janë pengje të grupit të zjarrit në krye. Atyre me maska, ku përdoren gjerësisht edhe të miturit, si mburoja për të përparuar.
Para 2 ditësh është neutralizuar një dron me eksploziv i destinuar të godiste Kryeministrinë duke i vënë zjarrin oborrit të brendshëm ku është ngrehina e drurit dhe një Zot e di me çfarë pasojash”, tha ai.
Kush qendron pas protestës?
Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të diele me një reagim nga zyra e tij, sa i takon protestave të ditëve të fundit.
“Dëmet nuk janë të vogla, por rregullohen”, deklaroi ai, ndërsa theksoi se është përpjekur të mos bjerë në kurthin e dhunës së verbër që kërkon gjak.
Me një gur në dorë, u shpreh “se ajo armë mund të bëhet edhe vdekjeprurëse”. Sipas tij, nuk janë studentët ata që protestojnë, por një “grup zjarri i paguar”.
Ritheksoi me bindje se personi që qëndron pas protestave të dhunshme është kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Ai matuf që del e bën thirrje për dhunë nga mëngjesi deri në darkë dhe nga ata rreth tij, që janë njësoj si ai, të tredhur dhe agresivë.”
Rama i mëshoi asaj që beson se fshihet pas kësaj revolte.
“Dje, në mënyrë të befasishme për çdokënd, por jo për mua! Foli mistifikuesi i Rusisë imperialiste, tha tani Shqipëria po tregon ngjyrën e vërtetë të saj, një popull kurajoz, ortodoks! Një dorë tjetër është Republika khomeiniste e Iranit.
Në darkë mblidhen kllounët që himnizojnë dhunën në sallonet e medias tradicionale, ndër të cilët pak fare janë ata që e thonë ndonjë fjalë kundër dhunës. Mbase janë të terrorizuar dhe nuk ju vë faj, sepse erdhi momenti, por nuk ka për të ardhur dita që njerëzit të terrorizohen për atë që mendojnë.”