Ish-prokurori: Atentati në Gjirokastër ishte i rrallë dhe i frikshëm. Dyshohet se ka lidhje me ngjarjet e Sarandës
Atentati i rëndë me lëndë plasëse në Gjirokastër, ku mbeti i vrarë shtetasi Beqir Devolli dhe u plagos Erigels Mela, djali i një ish-prokurori, ishte në fokus të analizës së ish-prokurorit Ervin Karanxha.
I ftuar në emisionin “MCN Live”, Karanxha e cilësoi këtë rast si mjaft të ndërlikuar për t’u hetuar.
Sipas tij, dinamika e ngjarjes dhe mënyra e ekzekutimit tregojnë se zanafilla e konfliktit nuk lidhet me qytetin e Gjirokastrës, por mund të ketë shtrirje ndërkombëtare.
“Ky është një rast mjaft i vështirë për t’u hetuar, pasi pasoja erdhi në Gjirokastër, por ngjarja nuk ka lidhje me politikën apo me ndonjë hetim gjyqësor në këtë qytet.
Këtu kemi të bëjmë me një konflikt që ndoshta e ka zanafillën jashtë kufijve të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Krimi sot është ndërkombëtar, prandaj edhe pistat hetimore dyshohet se lidhen me ngjarje në Sarandë apo me konflikte jashtë vendit”, tha ai.
Më tej, ish-prokurori theksoi rrezikun e lartë që ky shpërthim ka pasur për komunitetin, duke pasur parasysh që automjeti tip “Benz” po lëvizte në një zonë të frekuentuar përpara Drejtorisë së Policisë.
“Përdorimi i një sasie të tillë eksplozivi në ecje e sipër përbënte një rrezik të jashtëzakonshëm jo vetëm për personat në makinë, por edhe për qytetarët e rastit.
Siç u pa, mjeti humbi kontrollin dhe u përplas me një shtyllë, trafikndarëse.
Është hera e parë që në Gjirokastër regjistrohet një atentat i tillë me tritol; është një rast i rrallë për këtë qytet, çka vërteton se llogaritë e grupeve kriminale janë më të gjera.
Grupi hetimor ka një punë të madhe për të provuar pistat e ngritura”, tha ish-prokurori.