Ukraina godet tri objekte raketore në Rusi
Ushtria e Ukrainës njoftoi se gjatë natës goditi tri objekte të përfshira në prodhimin e raketave në Rusi, përfshirë një fabrikë në rajonin e Tverit që prodhon komponentë raketash dhe një qendër për çmontimin e raketave balistike ndërkontinentale në rajonin e Nizhny Novgorodit.
Në një deklaratë në Telegram, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës bëri të ditur se objekti rus për “eliminimin e raketave balistike ndërkontinentale” u godit me qëllim dobësimin e aftësisë së Rusisë për të siguruar lëndë plasëse dhe karburant raketash.
Ukraina ka goditur objektet ruse të rafinimit të naftës dhe ato të prodhimit ushtarak me një flotë në rritje dronësh të prodhuar në vend, e ndonjëherë edhe me raketa.
Guvernatori i rajonit të Nizhny Novgorodit deklaroi se një ushtarak mbeti i vrarë gjatë përpjekjes për të zmbrapsur sulmin, ndërsa mbetjet e dronit shkaktuan dëme “minimale” në infrastrukturë.
Guvernatori i rajonit të Tverit njoftoi të premten në mëngjes se një sulm me dron kishte shkaktuar zjarr në një uzinë në Redkino, por se ai ishte shuar.