10 Tetor, 2026

“Do t’i ngul thonjtë”: Si u prish miqësia e vjetër Veliaj – Mazniku, pas “tradhtisë” që e çoi në burg Lalin

 “Do t’i ngul thonjtë”: Si u prish miqësia e vjetër Veliaj – Mazniku, pas “tradhtisë” që e çoi në burg Lalin

Në Bashkinë e Tiranës janë shtuar gjithnjë e më shumë njerëzit që besojnë se në aramishten e vjetër, emri “Arbian” përkthehet në “Nesti”. Natyrisht, batuta për gjuhën e lashtë hebraike nuk ka asnjë bazë shkencore.

Ajo është një humor i zi, që tregon se njerëzit e Erion Veliajt kanë krijuar bindjen se pas anonimit “Nesti Angoli”, personazhit që dorëzoi informacione për hetimin dhe, më tej, arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, qëndron ndër të tjerë, edhe ish-numri dy i Bashkisë, Arbjan Mazniku.

Ky i fundit tashmë është vënë në shërbim të Ramës, pas “tradhtisë” ndaj Veliajt.

Tradhti që ia përmendi këtë të enjte në Kuvend, edhe Tedi Blushi.

“Dhe për t’i dhënë një përgjigje një “kolegu”, se këta nuk meritojnë t’i quash kolegë, se s’mund të jesh koleg me ata që mbrojnë interesat mafioze të Edi Ramës.

Por prezantuesi, lapto-reforma (Arbian Mazniku), i cili e ndërtoi karrierën duke tradhtuar Erion Veliajn, dhe i cili do të jetë viktima e parë e Erion Veliajt, sepse e ka paralajmëruar që do t’i ngulë thonjtë në fyt.

Pra, këta njerëz që ndërtojnë karrierën e vet politike mbi tradhtinë ndaj shokëve më të ngushtë janë zgjedhur nga Edi Rama fiks adapt për të prezantuar një reformë e cila në vetvete nuk është asgjë tjetër veçse një akt kriminal dhe diktatorial. Një thikë pas shpine, një tradhti për të gjithë shqiptarët”, – u shpreh Blushi.

Miqësia e hershme

Dyshja Veliaj-Mazniku është një simbiozë që ka funksionuar në mënyrë perfekte për më shumë se 25 vjet. Të dy, miq që në kohën e gjimnazit, së bashku me të tjerë, përfshirë edhe Endri Fugën e kryeministrit Edi Rama, ishin pjesë drejtuese e Këshillit Rinor Shqiptar, një organizatë që ka funksionuar në fillim të viteve 2000.

Më pas, Veliaj dhe Mazniku u bënë figura kryesore të Lëvizjës “Mjaft”, një organizatë majtiste, e mbështetur fuqishëm nga multimiliarderi George Soros, e cila u përdor për të mbështetur Edi Ramës në luftën e brendshme për drejtimin e Partisë Socialiste, me ish-kryetarin Fatos Nano.

Në vitin 2009, Erion Veliaj dhe Arbian Mazniku krijojnë lëvizjen politike “G-99”, e cila rezultoi fiasco në zgjedhjet parlamentare të atij vitit, por që gjithësesi forcoi lidhjet me kryesocialistin Edi Rama.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, kur Rama mori pushtetin për herë të parë, “99-shat” u shtrinë në administratën e lartë shtetërore. Erion Veliaj u emërua ministër për Rininë, ndërsa Arbjan Mazniku u emërua zv.ministër për Arsimin.

Dy vjet më pas, në 2015, dyshja bashkohet sërish. Erion Veliaj fiton mandatin e parë si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe, vendimi i tij i parë, ishte emërimi i Maznikut si zëvendësin e tij kryesor.

Përgjatë tre mandateve të Veliajt, Mazniku ka qenë gjithnjë aty, si “eminenca gri”, i përfshirë në çështjet më pikante të Bashkisë së Tiranës, sidomos në atë të inceneratorit fantazmë të Sharrës.

Bashkëpunimi shumë-vjeçar mes të dyve nuk ishte thjesht formal dhe institucional. Ata, mbi të gjitha, kanë krijuar lidhje të ngushta shoqërore dhe familjare, gjë që ka konsoliduar edhe raportin e tyre politik dhe publik.

Rrugëtimi i tyre i përbashkët u ndërpre në vitin 2022, pikërisht në kulmin e skandalit të “Sharrës”. Me një lëvizje të beftë, kryeministri Rama vendos të përthithë Maznikun në kabinetin e tij qeveritar, duke i dhënë postin e ministrit pa portofol të Shtetit për Pushtetin Vendor.

Në momentet e para, shumëkush hodhi në tregun mediatik idenë se kjo lëvizje përbënte një fuqizim të “klanit Veliaj” brenda Partisë Socialiste.

Por, kishte edhe nga ata skeptikë që e panë lëvizjen e Ramës në trajtën e kundërt-pra, një dobësim të Veliajt, duke i hequr krahun e tij të djathtë dhe duke e lënë të vetëm të përballej me furtunat penale.

Mazniku tashmë ishte jashtë skenës së Bashkisë, kur u arrestuan drejtorët e rëndësishëm të Veliajt për skemën korruptive “5D”.

Dhe, natyrisht, Mazniku po shijonte karrigen e kabinetit qeveritar, kur, në 10 shkurt 2025, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) prangosën në zyrë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Arrestimi i Veliajt vuri në lëvizje një mekanizëm të fuqishëm politik, mediatik dhe biznesi, të cilët u angazhuan maksimalisht për ta rikthyer në liri.

Shumë njerëz, “ushtarë”, “ofiqarë” e “përfitues” nga pushteti i Veliajt, u rreshtuan kush e kush më shumë për të ushtruar presion mbi gjyqësorin, me qëllim që të ndryshohej masa e sigurisë ndaj kryebashkiakut të fuqishëm të Tiranës.

Vetëm një njeri, ai që pritej të ishte në krye të kësaj “beteje” për lirinë e Veliaj, nuk u bë i gjallë për më shumë se dy muaj. Arbian Mazniku mbylli gojën dhe nuk kishte asnjë fjalë, qoftë edhe minimale, për të thënë për ish-shefin, por mbi të gjitha mikun e tij.

Vetëm pas dy muajsh, ai deklaroi se i vinte keq për arrestimin e mikut të tij.

Por ishte shumë vonë, pasi Veliaj tashmë besonte se ai e kishte tradhtuar.

Dhe nga përgjimet në burg, mësohet të jetë shprehur se do hakmerret.

Se si do shkojë historia e tyre, mbetet për të parë!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *